Veliaj me banorët e Njësisë 7: Investimet kanë rritur 2-3 fish vlerën e pronës

Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj u takua me banorë të Njësisë 7, kryesisht të zonës së ish Fushës së Aviacionit, me të cilët mbolli edhe disa pemë në vijim të fushatës së gjelbër drejt 14 Majit.
Veliaj tha se prej ndërhyrjeve të Bashkisë së Tiranës, vlera e pronës në zonë është rritur me të paktën dyfishin e saj, krahasuar me pak vite më parë.
“Sot, po të shohësh se si me zhvillimin e ish Fushës së Aviacionit dhe me hapjen e Astirit pas tre vitesh bllokim, krejt papritur e gjithë lagjja tjetër po konturohet dhe qyteti po rritet me të njëjtën shpejtësi, do të thotë që jo vetëm mund të ecim përpara, por edhe mund të mbajmë ritmin me zhvillimin e pjesëve të tjera të qytetit. Fakti që edhe gjysma tjetër që konsiderohej një xhep midis Lanës dhe Fushës së Aviacionit, sot është kantieri më i madh i zhvillimit dhe urbanizimit, flet vetë dhe mezi pres që ta vazhdojmë këtë punë dhe të ecim përpara,” u shpreh Veliaj.
Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të vënë të parë familjen e tyre dhe jo partitë e të votojnë për ata që kanë besim se do i çojnë gjërat përpara.
“Familja më e rëndësishme politike është familja jote. Nëse ty të intereson çerdhja, kopshti, shkolla, do lidhësh kontratë me ata që të bënë kopshtin, çerdhen e shkollën. Nëse dikush thotë hajde bëjmë luftë me Amerikën, nuk besoj se ka njeri këtu që do të bëjë luftë me Amerikën. Kur mendoj se sa ka qenë çmimi i pronës te ish Fusha e Aviacionit në 2015 dhe si në disa raste është 2 apo 3-fishuar, do të thotë që kjo mbjellje pemësh, ky pastrim, ky mjedis këtu me terrenet sportive, i japin vlerë. Kur bëhet edhe rruga, edhe infrastruktura arsimore, në atë zonë që konsiderohej xhep, sot i jep vërtetë vlerë pronës,” deklaroi Veliaj.
Ai u shpreh mirënjohës për këdo që e vlerëson punën dhe ndaj tha se Partia Socialiste do të vijojë fushatën pozitive larg sherreve e debateve politike.
“Ju jam shumë mirënjohës! E di që fushata vjen më atë frymën e debatit. Parimi i kësaj fushate është, më mirë mbjellim pemë e paqe, sesa sherr e inat. Këtë gjë e bëjmë për dashurinë e komunitetit tonë, jo se kemi inat dikë tjetër. Kemi vendosur që ato shpenzime të fushatës t’i ndajmë. Patjetër, do bëjmë edhe veprimtari promovuese, por në pjesën më të madhe duam të mbjellim pemë. Kur shikoj ata që paguajnë 100 mijë euro stadiumin, ndërkohë flasin për varfërinë dhe të nxjerrin sytë për tërmetin dhe për pandeminë, pa bërë dhënë një pjatë supë apo një pako ushqimore me lekët që u vijnë nga Rusia – se qartazi, rusët janë korrektë me pagesat që kanë për agjentët e tyre këtu – është mëkat se si në 2023 udhëheqës politikë u flasin stadiumeve bosh, ndërkohë mund të bënin shumë e më shumë punë”, tha kryebashkiaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




