Veliaj: Berishës dhe Metës iu ka humbur vula, harxhuan 100 mijë euro me stadiumin bosh

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj teksa u ndal në lagjen 12 në Dajt ironizoi hapjen e fushatës së koalicionit Berisha-Meta, kur tha se ata i kanë braktisur edhe njerëzit e tyre, pasi stadiumi “Arena Kombëtare” dje ishte bosh si asnjëherë më parë.
“I rroftë Saliut dhe Ilirit që harxhuan 100 e ca mijë euro, që meqë ra fjala dikush duhet të përgjigjet nga vijnë. Se parti që nuk marrin lekë nga KQZ-ja, që nuk janë të përfaqësuara me logo dhe vulë, duhet të japin llogari ku I gjejnë paratë. Por imagjinoni, kanë harxhuar gjithë ato para dhe imazhi i vetëm që u ngeli është stadiumi bosh. Atyre nuk u ka humbur vetëm vula, ju ka humbur edhe emri, nuk u ka ngelur njeri”, shtoi Veliaj.
Veliaj është shprehur se Berisha as nuk është regjistruar dot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa Ilir Meta është ‘nongrata’ për demokratët.
“Ne duam që, imazhi që t’i ngelet kësaj fushate, përveç fitores sonë, të jenë edhe pemët që kemi mbjellë në çdo komunitet. Ne e kemi me dy njerëz që jo vetëm që ju ka ikur vula, por i ka ikur dhe emri. Saliut dhe Ilirit i ka ikur edhe emri. Ju do të thoni çfarë emri u ka ikur? E keni parë atë fletën e votimit? Aty thotë Partia Socialiste, kryetar Edi Rama; thotë Partia PDIU, kryetar Shpëtim Idrizi; thotë Partia Agrare, kryetar Agron Duka; thotë “Bashkë fitojmë”, emri bosh. E dini pse është emri bosh? Po të vendosin emrin e Ilir Metës, që është zyrtarisht personi që e drejton punën me letra, se ai i ka letrat, mërziten demokratët, se Ilir Meta është non grata për demokratët. Po të vendosin Saliun, nuk e pranojnë në zgjedhje sepse është ‘non grata’”, u shpreh ai.
Sipas Veliajt, premtimi për linjë autobusësh falas nga ana e demokratëve nuk qëndron pasi të çon në krizë.
“Si historia e Nastradinit, që kishte gjetur një mënyrë si të kursente lekë me gomarin dhe tha: pas 30 ditëve që e lashë pa ngrënë, që të kurseja lekë, te dita 30-të ngordhi, dhe se kuptova pse. Patjetër, mund ta bësh falas, mund të rrijë gomari pa ngrënë 30 ditë, por pastaj ngordh. Ne nuk kemi ardhur këtu me kostum dhe kollare, as me fjalime të shkruara. Pse duhet të shpenzojmë ne si ata në stadium, kur ato lekë mund t’i bëjmë pemë? Mund të fillojmë që tani projektin që këtu ta bëjmë pedonale siç e bëmë te Liqeni i Tiranës, siç e bëmë te Liqeni i Farkës, ta bëjmë edhe te Liqeni i Linzës, se kush i bën dy-tre parqe, bën edhe të katërtin dhe të pestin”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




