Meta: Ndërtimi po përdoret për pastrimin e parave të pista, shqiptarët nuk sigurojnë dot strehim

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se kanë betonizuar vendin, por sërish shqiptarët nuk mund të sigurojnë dot një strehim për shkak të varfërisë.

Duke folur për strehimin social, si një plagë të rendë sociale, Meta tha se Partia e Lirisë do marrë disa masa  duke ju referuar mesatares të financimit të programeve të strehimit të vendeve europiane.

Mungesa e strehimit dhe kostoja e jetesës e papërballueshme, tha Meta, po detyron të rinjtë të emigrojnë.

“Pamundësia për strehim është një plagë e rëndë sociale, duke u kthyer në një nga arsyet themelore për largimin masiv të qytetarëve tanë në emigrim. Sepse, për çfarë perspektive mund të flasim për një familje të re, e cila nuk siguron dot një strehë për të rritur fëmijët? Ku edhe ata që ja dalin, kanë kosto të jashtëzakonshme, janë peng të mikrokredive dhe borxheve.

Duhet të paktën një pagë mujore mesatare, për të përballuar koston e qirasë, apo të kësteve të kredisë. Kostoja e blerjes së apartamentit, është rritur ndjeshëm, bashkë me kostot e jetesës, nga rritja e çmimeve dhe mos rritja e pagave.

Varfëria është thelluar për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ndërsa strehimi, qoftë me qira apo për të blerë, është shtrenjtuar ndjeshëm, duke u bërë i papërballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Një familje me të ardhura mesatare, i duhen mesatarisht 30 vjet për të blerë një shtëpi”, the Meta.

Për Metën, ndërtimi po përdoret për pastrimin e parave të pista dhe jo si mekanizëm strehimi.

“Qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit, edhe pse Shqipëria është betonizuar masivisht vitet e fundit. Mjafton të shikojmë situatën në Tiranë. Nga viti 2016 deri në vitin 2022, mbi 7 milionë metra katrorë leje ndërtimi janë dhënë në Tiranë, ndërkohë kemi në kryeqytet mijëra apartamente të pashitura, pasi ndërtimi nuk po përdoret si mekanizëm strehimi.Përkundrazi, po përdoret për pastrimin e parave të pista, gjë që është vënë në dukje dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe Parlamenti Europian.

Njëkohësisht, fondi 3% i banesave, pra që synon banesa të gatshme që u merren ndërtuesve të cilët marrin leje për sipërfaqe mbi 2000 m2, për t’ia dhënë qytetarëve si banesa sociale, nuk ju është vendosur ne dispozicion qytetarëve, për shkak të pazareve që bëjnë me ndërtuesit, dhe qytetarët i keni parë se si nxirren nga shtëpitë me forcë dhe rrinë rrugëve.

Rreth 25 mijë metra katrorë nga këto që Bashkia e Veliajt duhet t’i merrte sipërfaqe banimi të ndërtuara, nuk ja ka marrë ndërtuesve dhe aq më keq, u ka lejuar dhe pazaret me para, duke shkelur haptazi Nenin 19 të ligjit 22/2018, “Për Strehimin Social”. Ne si Parti e Lirisë e kemi çuar këtë çështje në SPAK.

Partia e Lirisë nisur nga vullneti politik i saj për të adresuar këtë problematikë të rëndë sociale, si dhe nga eksperiencat e vendeve të Bashkimit Europian, në lidhje me politikat e strehimit, propozon një sërë masash politike, të mundshme, duke ju referuar mesatares të financimit të programeve të strehimit të këtyre vendeve europiane”, tha Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme