Bejko: Ku i merr paratë e fushatës Berisha? Si mund të votohet Meta, që u ka shkatërruar jetën demokratëve?

Financimi i subjekteve politike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ka qenë sot kryefjala e një takimi elektoral të kandidatit të PD-së, Roland Bejko, me zgjedhës dhe struktura të PD-së në njësinë 7-të në Tiranë. Në këtë takim ai shoqërohej edhe nga deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku.
Bejko, me demokratët e njësisë 7-të, ka ngritur një seri pyetjesh që lidhen me shifra konkrete për paratë që po shpenzon Berisha në këto zgjedhje, të cilat, sipas tij, kanë si qëllim forcimin e Ilir Metës. Sipas tij, Berisha mbështetet nga paratë e oligarkëve.
“Një takim që zhvillon sot Sali Berisha, i kushton 5 mijë euro. Deri tani ka zhvilluar 13 takime për prezantime. Ka shpenzuar rreth 65 mijë euro. Ka një vite e gjysmë që vjen vërdallë. Me çfarë parash i zhvillon këto aktivitete? Me çfarë i paguan mediat?
Këto para janë para që i ka vjedhur tek shqiptarët, para të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë, ose para të krimit të organizuar ose oligarkëve”- theksoi Bejko.
Sipas tij, për këto tre problematika Berisha është akuzuar dhe shpallur dhe “non- grata”, kurse britanikët e akuzuan si bashkëpunëtore me krimin e organizuar, ndërsa amerikanët si një person që minon demokracinë, kurse sot 70% e shqiptarëve nuk e duan.
“Të vetmit që i shkojnë nga mbrapa janë militantët që i gënjeu se për 6 muaj do të heq Ramën nga pushteti. Demokratëve u thotë votoni listën e Ilir Metës, i cili hoqi demokratët nga puna dhe u shkatërroi jetën”- tha Bejko.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




