Lidhje me rusët? PS këmbëngul: Të hetohet Kryemadhi

Partia Socialiste përmes deputetes Klotilda Ferhati kërkon nga prokuroria hetim të plotë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve se deri ku është përfshirë deputetja Monika Kryemadhi, me oligarkët rusë.
Hetimet sipas saj duhet të shtrihen për mosdeklarim parash, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
“Prej disa ditësh, opinioni publik është shqetësuar nga publikimi i dokumenteve që ngrenë dyshime se një deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka marrë para nga kompani të lidhura me diktatorin e Kremlinit, Vladimir Putin. Të dhënat e publikuara nga media pasqyrojnë se si Monika Kryemadhi ka marrë para nga kompani të oligarkëve rusë që financojnë partinë e Putinit.
Ky është një rast shqetësues i cili ekspozon edhe një herë tjetër, skemën që ka përdorur Rusia për të minuar demokracitë europiane: financimin e partive politike. Por në vend që të japë shpjegime mbi këtë situatë, deputetja Kryemadhi ka zgjedhur të sulmojë mediat. Në vend që të vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë, deputetja Kryemadhi kërcënon dhe akuzon mediat, vetëm se ato kanë bërë detyrën e tyre. Njësoj siç bën partia dhe zëdhënësit e Putinit kundër zërave kritikë me të!
Deputetja Kryemadhi do duhet të sqarojë se çfarë janë këto para…? Çfarë janë këto llogari offshore? Përse nuk janë deklaruar në ILDKP shumat dhe llogaritë bankare nga ku janë marrë para? A ka patur ajo biznese me rusët? A ka marrë divident? Nëse po, çfarë kërkonin rusët nga Monika Kryemadhi në këmbim të rublave? E kërkonin si deputete apo si bashkëshorten e presidentit? Në të dyja rastet, implikimi i një politikaneje shqiptare në skemat e errëta të financimeve ruse, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë, ndaj vlerave europiane për të cilat punon e lufton aq shumë vendi ynë
Ndërkohë që Kryemadhi refuzon sqarimet, organet e drejtësisë do duhet të hetojnë për të gjitha veprimet në këtë rast, që nga mosdeklarimi, e deri te dyshimet e adresuara nga mediat për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Vetëm një hetim i plotë do të mund tu japë përgjigje pyetjeve se deri ku dhe në ç’masë Kryemadhi është përfshirë me rusët, se cilat janë interesat e saj me oligarkët e Putinit dhe sa i kanë prekur këto marrëdhënie, interesat kombëtare të Shqipërisë”, tha Bushka.
Një ditë më parë edhe deputeti Toni Gogu kërkoi që drejtësia të hetojë deputeten Monika Kryemadhi lidhur me dokumentet që janë bërë publik në media ku thuhet se Kryemadhi ka marrë financime ruse gjatë vitit 2017.
Artikuj të publikuar në disa media akuzojnë Monika Kryemadhin se ka marrë financime nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. Kryemadhi e cilësoi këtë si fushatë dezinfomimi ndaj saj dhe ka deklaruar se do shihet në gjykatë me këto media.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




