Berisha: Emërimet e Ramës për kandidatë të bashkive, kopje e shëmtuar e emërimeve të Enver Hoxhës

Politikë | 4 vite më parë

Nga Berati, ku ka prezantuar këtë të diel (26 mars) kandidatin e tij për Bashkinë e këtij qyteti, ish-Kryeministri Sali Berisha nuk la pa hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, Rama ka kapur drejtësinë në vend, teksa ndalur te zgjedhjet e 14 majit, ish-kryeministri tha se emërimet e PS-së “janë kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha”

“Kandidatët e primareve, kandidatët e votës së lirë janë sot në këtë Shqipëri me të gjitha atë mirjadë problemesh, rreze shprese, burim drite, optimizmi, për qytetarët e këtij vendi. Krahasoni pak me kandidatët rivalë. Dolën mbrëmë pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku, diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet, ky ishte procesi, ky është procesi më mafioz, më antidemokratik, më jotransparent në historinë e Shqipërisë.Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha, me byronë e tij politike. Ervin Dema është një klonim i kësaj kopje dhe unë e pyes këtu; Ervin cilët qytetarë të Beratit janë pyetur për rikandidimin tënd”, tha Berisha.

Teksa promovoi Zija Ismailin si alternativën për Beratin, Berisha kërkoi votën për kandidatët e primareve.

“Vij sot tek ju duke ju siguruar se nuk kam ardhur kurrë ndonjëherë më krenarë, më i lirë, para jush se sot, për të paraqitur kandidatin e PD-së, të zgjedhur me votën tuaj të lirë, me vullnetin tuaj, me besimin tuaj, doktor Zijain, njërin nga qytetarët më shembullorë, profesionistë më të apasionuar, njërin nga bijtë e shquar të këtij qyteti, i cili ka patur dhe ka një reputacion të merituar në qytet dhe rrethina.  Kam ardhur shumë herë, kam paraqitur kandidatura, por si doktor Zijai, asnjëherë, ai është i juaji. Është në besimin tuaj, në vullnetin tuaj, që me 14 maj ta vendosni atë si qytetar të parë të Beratit dhe ai do të kthejë bashkinë në shtëpinë e parë të qytetarëve të Beratit. Kandidatët e primareve, kandidatët e votës së lirë janë sot në këtë Shqipëri me të gjitha atë mirjadë problemesh, rreze shprese, burim drite, optimizmi, për qytetarët e këtij vendi”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme