Alibeaj mbledh PD në zyrat e reja: Po diskutojmë për emrat e kandidatëve për 61 Bashkitë! Dora e shtrirë për kandidatët e primareve

Politikë | 4 vite më parë

Ka zgjatur më shumë se 3 orë mbledhja e grupit parlamentar të PD-së dhe Kryesisë, teksa kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj bëri me dije se është diskutuar në lidhje me emrat e kandidatëve për 61 Bashkitë, për garën elektorale të 14 majit, teksa theksoi se nuk mungojnë propozime.

“Strukturat i kanë emrat, ne po diskutojmë. Marr një rast të thjeshtë, psh. zoti Bejko, i deleguari i PD për Gjirokastrën deklaroi se janë jo një por 4 kandidatura dhe ne do diskutojmë për to. Ky është procesi që po vazhdojmë”, tha ai.

Në deklaratën për mediat, Alibeaj shtoi se dora është e shtrirë për kandidatët e dalë nga primaret, organizuar nga Komisioni  Rithemelimit, ndërsa u kujdes të theksojë se PD nuk mund të ketë dy kandidatë në zgjedhje.  

“PD nuk ka si të ketë dy kandidatë, ka vetëm një, kandidatët e tjerë mund të jenë me logo të tjera. Për zotin Sali Berisha, e kam bërë të qartë që nuk është çështje personale, por e identitetit të PD që është një parti e themeluar si parti euro perëndimore. Marrëdhëniet e saj me SHBA, MB dhe BE janë ADN-ja e kësaj partie. Ne kemi bërë maksimumin, përtej çdo durimi që është i justifikueshëm për të bërë të mundur pasjen e një kandidati të demokratëve, madje edhe me gjerë se demokratët. Tani më 14 maj ka një mundësi të mirë që me votë, të gjithë së bashku, ta shfrytëzojmë. E kemi mbajtur dorën shtrirë ndaj demokratëve, ndaj kandidatëve, atyre që janë identifikuar nga procesi i primareve, për hir të një gjëje më të rëndësishme që është interesi i demokratëve dhe interesi publik për t’i vendosur një kufi këtij regjimi, besoj se është e arsyeshme të ndodhë siç themi, një kandidat fitues me moral”, deklaroi Alibeaj.  

Deklaratën Alibeaj e bëri nga zyrat e reja të PD, ndërsa i pyetur mbi selinë blu, ku ende ndodhet ish-kryeministri Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit, kreu i grupit u shpreh se selia duhet të lirohet pas vendimit të Apelit.

“Unë kam këtë qëndrim, nuk jam nga ata që i çon demokratët pre emocioneve të tyre, njerëzore mbase, nuk i çoj njerëzit në konflikt dhe në përplasje, nuk kruaj me gisht plagë që mezi po mbyllen nëse do të mbyllen, besoj te ligji, kur ka një vendim gjykatë ai vendim pranohet. Zyrat duhet të lirohen, siç bëra unë më 25 mars edhe pse vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ishte përfundimtar, por sa kohë pati një vendim, në respekt të ligjit, u larguam. Pretendojmë që ato zyra të lirohen. Por kjo nuk është kaq e rëndësishme sot”, u shpreh ai.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme