PD e Alibeajt ankimon zyrtarisht në KAS, vendimin e Celibashit për mosregjistrim

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, ankimon në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendimin e KQZ-së, për të mosregjistruar PD-në, si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Objekt i Ankimimit është kërkesa për shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të urdhërojë këtë të fundit, që të regjistrojë PD-në në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Sipas PD-së, vendimi I Komisionerit është në kundërshtim me ligjin sepse ka vërtetim gjykate; emrin dhe adresën e kryetarit të partisë; deklaratën e angazhimit solemn; autorizimin e përgjithshëm dhe atë bashkëlidhur të kryetarit të partisë.     

Në Ankimim, PD pretendon se ndryshe nga sa shprehet Komisioneri, nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja “e” të Kodit Zgjedhor, nuk është shprehur asnjë ndalim mbi delegimin e këtij akti, dhe se nuk rezulton që akti të jetë një akt individual i personit dhe akt ekskluziv, për shkak të përgjegjësisë ligjore në rast mospërmbushje.

Sipas PD-së, si për çdo të drejtë apo detyrimi tjetër,  dispozitat ligjore i referohen përmbushjes së tyre nga Kryetari i Partisë, duke qenë se ai është përfaqësuesi i partisë politike në raport me të tretët.

“Ky pretendim i Komisionerit është i pambështetur në ligj dhe rrëzohet edhe nga përmbajtja e vetë deklaratës, sipas përmbajtjes së miratuar nga vetë KQZ-ja. Deklarata fillon me fjalët: “Deklaroj në cilësinë e Kryetarit të Partisë”, çka provon se ajo nuk është një akt individual i personit, por një anagzhim që merret në cilësinë e kryetarit të partisë, cilësi e cila është ajo e organit drejtues/përfaqësues me të tretët dhe jo në cilësinë personale si person fizik/natyror.”- thuhet në ankimim.

Sipas shkresës, vetë Komisioneri në vendimin e tij arsyeton se: “në përputhje edhe me parashikimet e nenit 9 të ligjit 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, kryetari i partisë, në kuptim të ligjit është një organ dhe jo thjesht individi person fizik që ushtron funksionet e organit.

“Në këtë kontekst, deklarata e bërë në emër të organit që përfaqëson partinë ndaj të tretëve, rast në të cilin përfshihet edhe KQZ, është një akt i delegueshëm, pasi nuk lidhet me cilësi apo përgjegjësi personale të individit, personit fizik që ushtron detyrën e organit të Krytarit të Partisë”,- thuhet në ankimim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme