Vula e PD-së në duart e Alibeajt apo Berishës? Gjykata e Apelit vendos sot për fatin e selisë blu

Gjykata e Apelit do të vendosë këtë të premte (3 mars) për “fatin” e Partisë Demokratike. Gjykata do të mblidhet sot për vulën e PD, nëse timoni i selisë blu do të mbetet në duart e Kreut të Grupit Parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, apo në duart e Kreut të PD-së së Rithemelimit, Sali Berishës.
Gjykata e Apelit do të marrë sot në shqyrtim anikimimin e PD ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 me gjyqtar, Agron Zhukri, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lidhur me faktin se kujt i takon zyrtarisht vula për drejtimin dhe përfaqësimin e PD-së, çështje e cila do të gjykohet nga një trup e përbërë nga 3 gjyqtarë.
Kujtojmë se Gjykata e Tiranës pranoi rreth 1 vit më parë kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, për të ankimuar vendimin mbi regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të Rithemelimit të PD-së.
Kundër këtij vendimi u paraqit ankim nga Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Alibeaj, në datë 05.04.2022. Kërkesa ka si qëllim prishjen e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri, duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese. Vendimi i Apelit do të jetë i formës së prerë.
Përfaqësuesit ligjorë të Rithemelimit janë shprehur se Enkelejd Alibeajt nuk mund ta ankimonte vendimin e Zhukrit, duke qenë se nuk ishte palë në proces.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


