Auditimi i ndërtesave të vjetra, Berisha: Rama ka si qëllim të shembë 96 mijë banesa!

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike nga procesi i rithemelimit, Sali Berisha ka akuzuar të martën kryeministrin Edi Rama se po synon që të shembë 96 mijë banesa të vjetra në Tiranë për qëllime të klientëve të tij.

Gjatë një takim me strukturat drejtuese të degëve të PD të Tiranës, zoti Berisha ju referua një projektvendimi të qeverisë që sipas tij u hapte rrugë auditimit teknik që të vlerësonte ndërtesa mbi 50-vjeçare, duke e cilësuar të paligjshëm. Ai theksoi se plani i Ramës është që të shembë 96 mijë banesa, për qëllime të klientëve të tij.

“Sot ne jemi para një regjimi, i cili ka humbur çdo legjitimitet. Jemi para një regjimi për të cilin nuk ka më interesa për qytetarët, por për pasqyrimin e klanit të tij. Vetëm dje, Edi Rama dhe qeveria e tij miratoi një vendim me të cilin ka me qëllim të prish 96 mijë banesa, dhe ti zëvendësojë me ndërtime të klaneve të drogës, të oligarkëve të tij” tha zoti Berisha. 

Kreu i PD ish kryeministri Berisha tha se Rama shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të tërmetit, për pasurimin e tij dhe të klikës së tij, ndërsa tha se në  Kombinat ai shfrytëzoi këtë fatkeqësi. “I dha vetes karta-biankë, për të prishur çdo pallat, banesë, të cilën e konsideron fitimprurëse për veten dhe suitën e tij” tha zoti Berisha. 

“Rama dhe kjo qeveri duhet të largohen sa më parë. Ata kontrollojnë sot të gjitha pushtetet, kanë nënshtruar drejtësinë në një degë të PS, në një drejtori të saj. Asnjë shqiptar nuk pret më që e drejta e tij të sanksionohet. Do i duhen 10-15 vite për t’u gjykuar. duhet të paguaj qimet e kokës ryshfet për të afruar vendimin dhe më pas fiton ai që paguan më shumë. Kurrë ndonjëherë, përveç diktaturës hoxhiste, drejtësia nuk ka qenë në një kontroll të tillë” tha Kryetari i Partisë Demokratike nga procesi i rithemelimit Sali Berisha.

Deklaratat e tij vijnë vetëm dy muaj e gjysëm nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, ku beteja për Tiranën konsiderohet nga më të fortat. 
Kreu aktual i bashkisë Erion Veliaj synon një mandat të tretë ndërsa kandidati i PD Belind Këlliçi është sfidanti i tij kryesor.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme