Pikë e re kufitare me Malin e Zi, Çuçi: Shkurtohet distanca me Ulqinin dhe ulet fluksi në Muriqan

Përveç projektit për ndërtimin e urës së re mbi Lumin Buna, Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë një Pikë të re të Përbashkët të Kalimit Kufitar. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga dy kryeministrat Rama e Abazoviç pas mbledhjes së dy qeverive ditën e sotme në Podgoricë.
Ng ana e tij, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka deklaruar se kjo pikë re kalimi në Shën Nikolla-Pulaj do t’i japë një frymëmarrje të re qarkullimit mes dy vendeve tona dhe zhvillimit të turizmit.
“Hapja e kësaj pike krijon përfitime edhe për banorët e fshatrave përreth lumit Buna, zonës së nën Shkodrës, Malësisë së Krajës, Ulqinit etj. Shkurtohet distanca dhe ulet fluksi i lartë që shënohet kryesisht gjatë sezonit të verës në Muriqan. Ngritja e kësaj pike të përbashkët kalimi është e ndërthurur me projektin tonë të madh për urën e re mbi Bunë, vepër që do të lidhë më shpejt Velipojën dhe Ulqinin, si dhe i jep një dimension krejt të ri zhvillimit të turizmit në rajon”, ka theksuar ministri i Brendshëm i Shqipërisë.
Sipas marrëveshjes së dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ku aplikohet parimi “One Stop Shop” konsiderohet një nga nivelet më të larta të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet dy vendeve ku aplikimi i standardeve të zonës Schengen na sjellë më afër familjes evropiane.
“Nga kjo pikëpamje, çelja e kësaj pike të re do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të kontrollit të vijës të kufirit përgjatë lumit Buna, si dhe do të vendos më në pah vlerat turistike të ekosistemit të lumit Buna, liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Ulqinit, Velipojës, malësisë së Tivarit dhe zonave përreth”, shpjegohet më tej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


