Ibrahimaj intervistë për RTSH nga Japonia: Kompanitë japoneze do investojnë në tregun tonë, synojnë infrastrukturën

Politikë | 4 vite më parë

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se synimi i qeverisë, është mbajtja e kontakteve përmes ambasadave të dy vendeve dhe rritja e zhvillimeve ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Japonisë, përmes bizneseve.

Ibrahimaj në një intervistë për gazetaren e RTSH, Denada Shkodrani,  nga Japonia, theksoi se ‘Ne synojmë që nëpërmjet bashkëpunimit më të madh mes Shqipërisë dhe Japonisë të rrisim numrin e investimeve, që dhe investimet e mëdha që infrastrukturore në vend,  të kenë bashkëpunim me Japoninë dhe të ketë pjesëmarrje të kompanive  japoneze, të cilat treguan një interes të lartë”.

Ibrahimaj ndodhet në përbërje të delegacionit zyrtar shqiptar në Japoni, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike Shqipëri-Japoni.

“Ne synojmë që pas kësaj vizite të vijojmë të mbajmë kontakte nëpërmjet ambasadave tona  dhe nëpërmjet shoqatave të biznesit. Sepse në fund të fundit, është interesi ai që e çon përpara zhvillimin ekonomik dhe interesi, si nga ana shqiptare dhe ana japoneze është i shtuar në vitet e fundit”, tha Ibrahimaj.

Ministrja ka deklaruar më tej se gjatë vizitës në Japoni, ku së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, shoqëruan kryeministrin Rama, kanë zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme, me fokus rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Gjithë java ka qenë intensive. Ne patëm rastin përveç takimeve të nivelit të lartë politik, ku kryeministri Rama u takua me Kryeministrin e Japonisë, por dhe me kryetarin e Parlamentit, i cili është gjithashtu dhe kryetari i shoqatës parlamentare për miqësinë Japoni-Shqipëri, ne patëm mundësi të zhvillojmë takime intensive për bashkëpunimin ekonomik. Dhe në veçanti u takuam me dy dhoma, dhomat më të mëdha të biznesit që përfaqësojnë pjesën më të mëdha të bizneseve japoneze, të cilëve i shpjeguam potencialin e madh që Shqipëria ka në shumë sektorë strategjikë, si bujqësia, turizmi, energjia, manifaktura, por dhe potencialin gjeografik që Shqipëria ka, duke qenë në zemër të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përballë Evropës”, tha Ibrahimaj, e cila shtoi më tej se nëpërmjet bashkëpunimit të shtuar mes Shqipërisë dhe Japonisë, synohet rritja e numrit të investimeve nfrastrukturore.

“Të kenë bashkëpunim me Japoninë dhe të ketë pjesëmarrje të kompanive  japoneze, të cilat treguan një interes të lartë. Gjithashtu, takuam Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim Japoneze, por dhe Xhajkën e cila prej vitesh është e pranishme në Shqipëri dhe biseduam për marrëdhëniet e bashkëpunimit të deritanishme dhe ato që do të vijnë në të ardhmen“, tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme