Bylykbashi replikon me Ramën: Më 14 maj, opozita do t’ia shembë kryeministrit “tërmetin” e tij

“Rithemelimi” i PD-së, nëpërmjet deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit, Edi Rama, në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e ti social facebook, Bylykbashi shkruan se më 14 maj “opozita do t’ia shembë Ramës “tërmetin” e tij”. Sipas tij, ka vetëm një gjë që mund t’i referohesh lidhur me këtë deklaratë, “zgjedhjet skandaloze të Dibrës në vitin 2016”.
Bylykbashi analizon se tërmeti” i Dibrës është njollë turpi në standardet e zgjedhjeve, po aq turp është për prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të përveçme, SPAK, sepse është kuti i matjes së dështimit të tyre në çuarjen para drejtësisë së eksponentëve më të lartë të PS që dolën në përgjimet e prokurorisë.
“Atyre asnjë gjemb nuk u hyri në këmbë sepse ua mbyllën çështjet. Dibra u vërtetua si poligoni i provës i skemës shtetërore për manipulimin e votës me përdorimin e shtetit në te gjithë aspektet e tij, shitblerjes së votës, përdorimit të kriminelëve për presion, etj, e gjitha me regji qendrore dhe vullnet politik qeveritar. Për këdo që e ka të freskët çfarë do të thotë tërmet, e kupton se figurativisht tërmeti do të thotë rrafshim i diçkaje. Të vetmet kolona që mbajnë zgjedhjet, janë parimet ndërkombëtare dhe kushtetuese. Këto rrafshon “tërmeti” i Ramës.”- shkruan Bylykbashi.
Sipas tij, mjafton të lexohen rekomandimet e ODIHR nga 2017 e këtej që vënë gishtin tek problemet më të rënda (e ndërkombëtarët nuk do bënin deklarata përgëzuese pas zgjedhjeve): – Është cënuar liria e votes; është cënuar sekreti i votes; shit-blerja e votës me para, vende pune e favore është e përhapur gjerësisht; përdorimi masiv i shtetit në favor të kandidatëve të qeverisë apo me kërcënime të votuesve opozitarë; përdorimi masiv e i paligjshëm i të dhënave personale të zgjedhësve; ngritja e një skeme masive patronazhimi të zgjedhësve.
“Ky nuk është mekanizëm kontrolli të votës duke manipuluar numërimin. Ky është mekanizëm kriminal për kontrollin e zgjedhësve para ditës së votimit, me të cilin Rama planifikon tërmetin e zgjedhjeve të 2023. Është kriminal sepse edhe ODIHR kërkon ndjekje penale, por kush ta bëjë? Prokuroria, qoftë ajo e përgjithshme qoftë e përveçme, SPAK, janë të kapura ose të frikësuara nga presioni i Kryeministrit. Fundja mos të harrojmë se Rama premtoi “tërmet” në drejtësi në 2016 dhe ja ku është sot Drejtësia, në agoni. Barra bie mbi drejtuesin e SPAK dhe Prokurorin e Përgjithshëm që të godasin mekanizmin e “tërmetit”. Shit-blerja e votës me para, vende pune e favore është akt korrupsioni. Ato goditen tani, përpara zgjedhjeve e jo pas të vjelave. Mjafton që prokurorët tanë të ngrihen në nivelin e prokurorisë së Kosovës, se nuk krahasohen as me ta. Gjithsesi Rama nuk ka më luksin e e marrëveshjeve si ajo kokë më kokë e natës së 17 majit 2017 që i mundësoi atij heqjen e koalicionit opozitar, atë të djegies së mandateve që i dha mundësi të ndryshonte Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor me votat e Kërpëratës pa konsensus me opozitën, apo luksin t’i merrte bashkitë në tavolinë si në 2019, as luksin e një opozite që hyn në zgjedhje maksimumi për bashkëqeverisje.
Partia Demokratike, pas 11 dhjetorit 2021 hyn në zgjedhje për fitore. Ajo nuk ndalet nga padia që Rama e përdor që të pengojë Partinë Demokratike në zgjedhje duke i marrë peng flamurin, logon dhe vulën. Më 14 maj opozita do t’ia shembë Ramës “tërmetin” e tij. Le t’i mbledhë atë ditë sërish “minjtë” e pushtetit e t’u shpjegojë “trëmetin”.’- shkruan Bylykbashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




