Dita e Diasporës, Rama: Amnistia fiskale do të bëhet me çdo kusht, ndihmon në formalizimin e të ardhurave të emigrantëve

Politikë | 4 vite më parë

Në fjalën e tij në mbledhjen vjetore të Këshillit Koordinues të Diasporës, mbajtur këtë të diel (18 dhjetor), kryeministri Edi Rama, ndalur tek amnistia fiskale vlerësoi se duhej të ishte bërë para shumë kohësh pasi sipas tij do të ndihmojë në formalizimin e të ardhurave të emigrantëve. Rama tha se amnistia fiskale do të bëhet me çdo kusht ndërsa shton se edhe kritikët ndërkombëtarë dhe BE do ta kuptojnë se është e rëndësishme për tu bërë ndaj kërkon që të mbështesin procesin.

“Ne do ta bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht. Amnistia fiskale do të garantojë formalizimin e të gjitha të ardhurave nga puna të shqiptarëve në Diasporë. Ekonomia informale nuk është një territor vetëm i vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara. Puna në të zezë, pagesat në Cash për punë të paregjistruara janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara. Kemi arsye për ta bërë më në fund këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh. Edhe bashkësia ndërkombëtare dhe BE do ta kuptojë. Ne nuk kemi nevojë të na mbështesë, por nuk do të na pengojë dhe do ta pranojë principin e së drejtës dhe të drejtën të monitorojë këtë proces që të bëhet siç duhet. Nuk kemi pse të privohemi se jemi të vegjël dhe na paragjykojnë përtej çdo logjike. Është e rëndësishme për emigrantët dhe gjithë shqiptarët se është fenomen masiv i prodhuar nga sakrificat e jashtëzakonshme dhe një sasi pune e kryer në zonën informale të ekonomisë në vendet e zhvilluara që po ti mblidhen të gjitha orët që shqiptarët i kanë falur me djersë e gjak ekonomisë informale në vendet e zhvilluara atëherë do na rezultonte një volum skallavërie i paimagjinueshëm. Sot shqiptarët si komb janë shumë më të ditur e të aftë prej emigracionit”, tha Rama ndërsa shtoi se kontributi i emigrantëve vazhdon të jetë konstant në ekonominë e vendit.

“Kontributi i të ikurve në emigracion nga Shqipëria në këto 3 dekada vijon të jetë konstant në ekonominë tonë dhe remitancat në periudhën e fundit kanë shënuar rritje me një periudhe të mëparshme, çka dëshmon fuqinë e lidhjeve mes njerëzve, familjeve dhe traditës që ende sot është e fortë në bërthamën e familjes shqiptare, pavarësisht ngarkesave dhe interesave të atyre që janë jashtë“, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi shqiptarët si kontributorë të rëndësishëm në ekonomitë e vendeve ku kanë emigruar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme