Kos: Shqipëria përparim në zbatimin e reformave, të vazhdojë puna për mbylljen e negociatave në 2027

Europë | 1 orë më parë

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit europian, duke nënvizuar ritmin e qëndrueshëm të reformave dhe avancimin e vendit në negociatat e anëtarësimit.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, komisionerja prezantoi Paketën e Zgjerimit të Bashkimit Europian, dokumentin vjetor që analizon progresin e vendeve kandidate dhe përcakton prioritetet e reformave për periudhën në vijim.

Në raportin për Shqipërinë, Komisioni Europian evidenton ecurinë pozitive të vendit në përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të procesit të anëtarësimit, duke nënvizuar se reformat e ndërmarra kanë forcuar më tej perspektivën europiane të vendit dhe kanë krijuar kushte për hapjen dhe avancimin në kapituj të rinj negociues.

Sipas saj, Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian, duke u pozicionuar ndër vendet më dinamike në procesin e zgjerimit.

“Do të nisim një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate. Sot ndodhemi në një moment kur Bashkimi Europian ka mundësinë reale të zgjerohet. Ne duam që vendet kandidate të arrijnë nivelin e nevojshëm të përgatitjes, në mënyrë që të jenë plotësisht të gatshme për anëtarësim kur të vijë momenti.”

Megjithatë, Kos theksoi se për të ruajtur këtë ritëm dhe për të përmbushur objektivin ambicioz të mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027, nevojitet vazhdimi i reformave në fusha kyçe si sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, liria e medias dhe mbrojtja e mjedisit.

“Në qendër të çdo përpjekjeje reformuese duhet të jenë sundimi i ligjit, një sistem drejtësie i pavarur dhe efektiv, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në fushën e mjedisit duhet të jetë gjithashtu një përparësi e rëndësishme. Këto çështje nuk kanë rëndësi vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi dhe për cilësinë e jetës së përditshme të qytetarëve.”

Gjatë prezantimit të raportit të progresit për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kos vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe nënvizoi se objektivi i vendosur nga Tirana për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 është ambicioz, por i arritshëm, nëse reformat vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e Bashkimit Europian është një tregues i qartë i angazhimit të saj për anëtarësimin në BE. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe dhe këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grup-kapitullin e parë, atë të Themeloreve.

Që prej asaj kohe, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj negociues dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë.

Në të njëjtën kohë, ne duhet të shohim një vazhdimësi të përqendrimit te fushat kyçe të reformave. Kjo është thelbësore që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por plotësisht të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.”

Ajo vuri theksin te rëndësia që kanë reformat për vetë qytetarët shqiptarë, përtej procesit të integrimit europian.

Gjatë fjalës së saj, Kos njoftoi se Komisioni Europian synon të nisë një dialog të ri për integrimin gradual të vendeve kandidate, mes tyre edhe Shqipëria.

“Sa i përket Shqipërisë, ritmi i reformave ka qenë pozitiv. Janë bërë përparime të rëndësishme në një sërë fushash. Vendi ka arritur të mbyllë katër kapituj negociues dhe po punon për të mbyllur të tjerë. Shqipëria mund të arrijë objektivin e saj për përmbylljen e kapitujve deri në fund të vitit 2027.Megjithatë, liria e medias, pavarësia e gjyqësorit dhe mbrojtja e mjedisit mbeten prioritete thelbësore. Këto janë fusha ku kërkohet vazhdimësi reformash, rezultate konkrete dhe një angazhim afatgjatë nga institucionet shqiptare.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme