Parashikimet e Oerd Bylykbashit për Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën! Sa shanse ka PD për fitore?

Politikë | 4 vite më parë

Nënkryetari i PD, një nga ekspertët zgjedhorë më të mirë në vend, bëri një parashikim të kujdesshëm për garën në disa nga bashkitë kryesore në vend. Durrësi është zgjedhja e tij e parë, si qytetar i Durrësit.

“Nga primaret ka dalë Igli Cara me shumë eksperiencë, ish deputet, ish drejtues PD dhe së fundmi i zgjedhur si Kryetar i PD nga anëtarësia. I njeh shumë mirë problemet e Durrësit dhe kjo është dega ku anëtarësia është më e bashkuar se kudo. Kemi qenë gjithmonë gati 50-50 si opozitë në Durrës. Në 2019 shanset për të marrë Durrësin kanë qenë shumë të larta, nuk them tani janë pak, por mundësitë ishin më të larta, pasi ishte një kandidate e dobët përballë. Shanset e PD që t’ia kthejë Durrësin demokratëve  si një motor i madh zhvillimi, janë të gjitha aty”, tha Bylykbashi, i cili foli edhe për garën në bashkitë e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Korçës.

“Në Elbasan kemi shanse te jashtëzakonshme. Zoti Boçi është një figurë politike me profil shumë të lartë politik në PD. Tirana është e madhe dhe e paparashikueshme për pushtetin. Belind Këlliçi, një kandidaturë që vjen nga radhët e rinisë, me një dinamikë të lartë politike, i zgjedhur me votë te qartë nga anëtarësia dhe me mbështetjen e zoti Alimehmeti që ka mbështetjen e një elektorati më të ekuilibruar, janë një shans i madh. Shkodrën sigurisht që e mbajmë. E mbajtëm atëherë kur nuk kishim asgjë. Sigurisht do të synojmë të fitojmë bashki të tjera. Do të luftojmë edhe për Korçën që ta fitojmë. Unë jam politikan i kujdesshëm kur flas, jam i bindur që në Korçë kemi kandidat të mirë dhe betejën do ta bëjmë të fortë. Përballë kemi makinerinë e shtetit, por duke ditur që Edi Rama është armiku i zgjedhjeve, do të përballet me një strategji asimetrike në këto zgjedhje dhe do të ketë të vështirë të parashikojë cili është rezultati”, tha Bylykbashi për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme