Samiti BE-Ballkani Perëndimor në 6 dhjetor në Tiranë, zbardhet agjenda

Faqja e Këshillit të Bashkimit Evropian ka zbardhur agjendën e Samitit të BE- Ballkani Perëndimor, që do të mblidhet më 6 dhjetor në Tiranë.
Ky është samiti i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.
Sipas agjendës, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Liderët pritet të bëjnë një deklaratë në fund të samitit.
Udhëheqësit do të diskutojnë mundësitë e bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ata do të shqyrtojnë më konkretisht efektet e tij negative në sektorët e energjisë, si dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.
Temë e diskutimeve do të jenë përgjigja e BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës, si dhe siguria e ushqimit dhe aftësia për ta përballuar atë.
Po ashtu, udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mënyrat e thellimit të angazhimit politik me një fokus të veçantë te të rinjtë.
Ata, gjithashtu, do të bëjnë vlerësimin e progresit në: integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së; modernizimin e sistemeve të tyre të pagesave në përputhje me standardet e BE-së në fushën digjitale; zbatimin e Rrugëve të Gjelbërta BE-Ballkani Perëndimor.
Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.
Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit, pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu edhe forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit.
Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




