Buxheti 2023/ Rama: 12 mld lekë për mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë

Politikë | 4 vite më parë

Mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë thelbi i buxhetit të vitit 2023. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama tha se ky buxhet është në buxhet 2-fishi i atij të vitit 2013 dhe se janë 12 mld lekë, plus edhe suporti i BE, për mbështetjen buxhetore të këtyre kategorive.

“Buxheti e ul borxhin që është 68.8 sot dhe parashikohet të shkojë në 65.7. Nga 2008 deri në 2021 rritja ekonomike ka qenë 3 herë më e lartë se huamarrja. Ky buxhet është 2-fishi i atij të vitit 2013 dhe do fokusohem vetëm te mbrojtja e familjeve, biznesit të vogël. Mbështetja buxhetore për mbrojtjen nga goditja e çmimit të energjisë, sepse aty është thembra e Akilit dhe për këtë në buxhet ka 12 mld plus edhe suporti buxhetor i marrë nga BE”, tha Rama.

Ai shtoi po ashtu se do të rritet niveli i pagës minimale, ku nga 36 mijë lekë, do të shkojë në 38 mijë lekë, ndërsa do të rritet me 6% paga e mësuesve, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve. Kreu i qeverisë theksoi se mbështetja për familjet do të vijojë edhe rritjen e nivelit të pagave që nuk taksohen në 50 mijë lekë

“Po ashtu do të risim edhe njëherë nivelin e pagës minimale që e kemi rritur dy herë këtë vit, do ta çojmë në 36 mijë lekë të reja me qëllim që ta çojmë në 38 mijë lekë të reja. Nga kjo rritje janë 21 mln dollarë që përfitohen drejtpërdrejtë nga ata që paguhen me pagën minimale. 3.3 mld lekë efekti i rritjes së pagave në administratën publike që i takon konsolidimit të asaj që miratuam që në shtator. Do të vazhdojë edhe rritja e pagave 6% për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe zjarrfikësit, dhe do kemi edhe një rritje tjetër për ushtarakët. Do vazhdojmë të mbështesim familjet duke rritur nivelin e pagave që nuk taksohen në 50 mijë lekë. Do mbështesim familjet dhe individët që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Kosto rreth 25.5 mld lekë për 2023. Risi në këtë vit që vjen, përveçse do të dyfishojmë ndihmën, për nënat me dy apo më shumë fëmijë dhe të moshuarit që nuk marrin pension pleqërie. Nënat e papuna me 3 ose më shumë fëmijë do u paguajmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Vijojmë me bonuesin e bebes, 2.2 mld fond. Përveç indeksimit të pensioneve, do vijojmë me bonusin e fund vitit, do ua japim në fillim të dhjetorit”, tha kreu i qeverisë.

Ndalur tek biznesi i vogël, Rama tha se nuk do t’i shtohet asnjë barrë dhe se nuk do të paguajnë taksa dhe as tatim fitimi deri në vitin 2029.

“Në fund dua të shtoj, se kemi një Paketë Fiskale me pak ndryshime, ku nuk është ndryshimi që ju të pafetë, pafytyrë, ua thatë atyre që merren me biznes të vogël. Ju i thatë që 10-fishohen gjobat për biznesin e vogël, që nuk është e vërtetë. Nuk i shtohet asnjë lloj barre, është aleati më i madh i kësaj qeveria, me zero taksa dhe me zero tatim fitim. Kështu do të jenë deri në vitin 2029”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme