Vëzhgimi i zgjedhjeve të 8 nëntorit në SHBA, pozita dhe opozita shqiptare bëhet bashkë në Washington

Pozita dhe opozita parlamentare shqiptare është bërë bashkë në Washington, në kuadër të vëzhgimit të zgjedhjeve të 8 nëntorit që zhvillohen në SHBA. Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
Gjiknuri informon se bashkë me Ermonela Felajn dhe Fatmir Mediun, në cilësinë e anëtarëve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, morën pjesë në një takim informues nga ndihmës zv.sekretari i shtetit, Douglas Jones, dhe kordinatorja speciale për monitorimin e zgjedhjeve për OSBE-në Margareta Cederfelt.
“Këto zgjedhje në SHBA zhvillohen në një mjedis të polarizuar politik, për shkak të efektit të inflacionit dhe pasojave të tjera që kanë ardhur pas zhvillimeve ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë, ato kombëtare, kryesisht ekonomia, çmimet, dhuna, migracioni, ngrohja globale etj. Pritet të jetë një betejë e fortë për kontrollin e Dhomës së Përfaqësimit dhe Senatit Amerikan.“- shkruan Gjiknuri.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë një ndikim të madh edhe në planin ndërkombëtar, pasi një ndryshim i mundshëm i mazhorancës së Kongresit do të ndikojë në politikat e administratës Biden.
“Pavarësisht rezultatit, të gjithë urojnë që SHBA të dalë më e fortë, për të luajtur rolin e liderit global të botës demokratike, e cila kërcënohet çdo ditë e më shumë nga tendencat autokratike në shumë vende të globit.”- thekson Gjiknuri.



/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




