Siguria/ Manja: Po shqyrtojmë amnistinë për të burgosurit! Opozita: E përdorni për zgjedhjet

Nga Komisioni i Sigurisë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se qeveria është në shqyrtim të amnistisë penale, por ende nuk është vendosur se sa e gjerë do të jetë kjo amnisti. Kjo deklaratë erdhi pas akuzave të opozitës se burgjet janë të mbipopulluara me hallexhinj, ndërsa kokat e krimit rrinë në Dubai. Gjithashtu opozita tha se amnistia penale para zgjedhjeve bëhet pikërisht për qëllime elektoral.
Kjo u hodh poshtë nga ministri Manja i cili tha se amnistia është traditë dhe bëhet herë pas herë që nga 2013.
Ervin Salianji: Në vendin tonë duket se burgjet po popullohen nga hallexhinjtë! Me Emiratet e Bashkuara ekstradimet janë të domosdoshme.
Ulsi Manja: Nëse ju keni një shqetësim me mbipopullimin, amnistia është një nga elementët. Me thënë të drejtën me gjithë këto pyetje që lindin, mua më lind pyetja, e doni apo jo? Në fund i takon kuvendit, ajo do 84 vota. Asnjë amnisti nuk ka kaluar pa dakordësim. Ju e dini që janë shumë të paraburgosur që janë në pritje të gjykimeve. Lidhur me marrëveshjet e ekstradimit është kërkuar edhe në Kuvend pse Shqipëria nuk nënshkruar marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ato janë edhe çështje e vullnetit të përbashkët.
Ferdinand Xhaferri: A ka studim të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me amnistinë, apo bëhet në fund të vitit për qëllime elektorale?
Ulsi Manja: Lidhur me amnistinë penale dua të jem i qartë, se sa herë ka periudha zgjedhore e flitet për amnisti penale ka tendencë për t’i gërshetuar këto dy gjëra. Amnistia penale është traditë, niset nga parimet e humanizmit e qëllimeve që ka dënimi, është ushtruar herë pas herë amnistia, ka pasur që në 2013 e fundit është bërë në 2020, jemi në një proces të studimit e analizimit të gjithë faktorëve e indikatorëve që merr në konsideratë një amnisti penale e pse jo ministria e drejtësisë do propozojë por që s’ka lidhje me zgjedhjet se të paraburgosurit e ushtrojnë te drejtën e votës dhe pa pasur amnisti. Të paraburgosurit dhe të dënuarit do votojnë. Sa e gjerë do jetë kjo amnisti nëse do ketë ndjekjen penale, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve penale, pra të tre fazat, këtë po e studiojmë në ministri me Drejtorinë e Burgjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




