Balla: Pse Berisha dhe Meta nuk japin shpjegime se përse votuan pro raportit të Dick Marty-t?

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaron se shqiptarët presin shpjegime se pse Sali Berisha dhe Ilir Meta votuan pro sa Rezolutës së Dick Marty-t, që kishte zanafillën në një mocion për rezolutë të propozuar nga drejtuesi i delegacionit rus Konstantin Kosachev, bazuar në tregime të paverifikuara për filma fiction të Carla Del Ponte.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Balla shprehet se Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës bazuar në një raport famëkeq, mbështetur dhe sponsorizuar haptazi nga Kremlini dhe rublat ruse.

Sipas tij, aleanca e rublave Berisha-Meta, për turpin dhe tradhëtinë e tyre e kanë votuar pro Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport të Dick Marty.

“E kam denoncuar heshtjen e Sali Berishës ndaj dokumentit të hartuar në Moskë, që në verën e vitit 2008. E kam denoncuar votën pro të Sali Berishës dhe Ilir Metës, për atë Rezolutë skandaloze në vitin 2011 gjithashtu. Kam denoncuar edhe lidhjet e Partisë Demokratike me financime të paligjshme ruse. Sot pyetja që shtrohet është: Ndërsa Shqipëria zyrtarisht përmes Kuvendit dhe Kryeministrit Edi Rama, vijojnë përpjekjen për ta pastruar këtë mal të madh balte dhe trillimesh, të denjë për filma horror, Sali Berisha dhe Ilir Meta pse janë hedhur në sulm dhe protesta!?“- shkruan Balla.

Sipas tij, java që u mbyll ishte një javë intensive e Kuvendit të Shqipërisë në kontaktet me parlamentet e përfaqësuara në APKiE, në rrugën e shpalljes si të pabazuara të pretendimeve për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë këtyre 11 viteve, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

“Lufta e UÇK ishte luftë e pastër, e drejtë dhe çlirimtare! Rroftë UÇK“- mbyll postimin Balla.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme