Operacion “kontrabande” nga dy ministra, Rama: Si arritëm t’i merrnim fshehurazi vaksinat antiCovid nga Italia

“Një operacion kontrabande vaksinash i kryer nga dy ministra”. Kjo është historia që kryeministri shqiptar, Edi Rama, tregoi mëngjesin e sotëm në Bergamo, gjatë fjalimit të tij në “Kultura do të shpëtojë botën”, të organizuar nga “Semi – Stories of Excellence”.
Rama i referohej ish- ministrit të Jashtëm, Luigi Di Maio, i cili ishte ulur në rreshtin e parë në Aula Magna të Universitetit të Bergamos, në atë që konsiderohet se është një nga daljet e tij të para publike pas humbjes në zgjedhje.
Ai nuk pranoi të komentonte, duke refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, por u kufizuar në një fjalim 5 minutësh, gjatë të cilit ai kujtoi rëndësinë e “diplomacisë kulturore” dhe të kulturës për Italinë.
Në fjalën e tij, Rama foli për situatën politike shqiptare dhe marrëdhënien e tij me Italinë që në ditët e diktaturës, kur të rinj si ai shkuan në Vlorë jo për det, por për të ndjekur programet televizive italiane.
“Sot them diçka që askush nuk e di,- vazhdoi Rama- unë jam shqiptaro-italian, Di Maio napolitano- shqiptar. Kemi bërë bashkë një operacion kontrabande. Çfarë italiani apo shqiptari jeni nëse jeni gjithmonë në përputhje me ligjin?”.
Rama i’u kthye periudhës kur Covid-i goditi fort Shqipërinë.
“Njerëzit po vdisnin, kishim ngelur si “peshku pa ujë”. Ne nuk mund të bënim vaksina. E pyeta Luixhin: a mund të na japësh disa doza të paktën për mjekë dhe infermierë? Pfizer kishte një kontratë shumë kapitaliste me qeveritë kush thuhej se unë ju jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni askujt. Diçka që është gjithçka tjetër, veçse jo e krishterë. Luigi tha: do të ishte një gjë shumë serioze. Por ne e bëmë këtë me shërbimet sekrete, dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e Pfizer kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim: nga një vend mik. Thashë se kishim mësuar nga napolitanët se nuk duhet të heqësh dorë kurrë nga një mik para policisë””- tregoi Rama.
Rama e quajti vendin e tij “një Itali më të ngatërruar” dhe shtoi se nuk mendon se do të ketë probleme me qeverinë e ardhshme italiane:
“Nuk kemi pasur kurrë probleme në të kaluarën me asnjë lloj qeverie, si me të majtën ashtu edhe me të djathtën, sepse ne i përkasim të njëjtës histori. Berluskoni do të kishte qenë një socialist i mirë nëse nuk do të kishte zënë vendin që ka tashmë”.
Rama u shpreh optimist për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian:
“Jemi përpjekur shumë herë, por është si të organizojmë një dasmë dhe nusja nuk del. Shumë vite diktaturë na kanë bërë vendin më të largët nga Rusia (nuk kemi nevojë të aplikojmë sanksione, e kemi bërë që nga viti 1990), si dhe më të afërtin me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, pasi jemi më pro-amerikanë se teksanët. Për BE-në tani jemi më të qetë sepse ka pasur zgjedhje në vende si Franca dhe Holanda”- theksoi kryeministri në fjalën e tij.
Rama u shpreh se ftesa në Bergamo është nga të paktat që ka pranuar:
“Unë kisha dërguar tashmë tridhjetë infermierë atje gjatë pandemisë dhe sot solla personalisht një artist, që jam unë. Bergamo është një realitet spektakolar. Ju duhet të ndiheni të lavdëruar nga Zoti që ka vendosur që ju të lindni në Bergamo”. Corriere Della Sera
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




