Sulmet kibernetike të Iranit, Rama: Qëllimi ishte të zhduknin gjithçka dhe të na kthenin në “vitin zero”, por nuk ia arritën

Politikë | 4 vite më parë

Sulmet kibernetike nga Irani, me të cilët u përball Shqipëria, mund të kishin zhdukur gjithçka dhe ta kishin kthyer vendin në “vitin zero” të sistemeve dixhitale.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët dhe gazetarët në Facebook, teksa ritheksoi se sulmet nuk ia arritën qëllimit dhe se sistemet tona rezistuan.

“Ne kemi rezistuar me sukses ndaj sulmit dhe po të shihni raportin e bërë nga ekspertiza më e lartë ndërkombëtare e Microsoft dhe e agjencive të specializuara të SHBA, e vërteta është që agresioni ka dështuar. Sulmi ka qenë i një natyre që mund të kishte zhdukur gjithçka dhe mund të na kishte kthyer në vitin zero të sistemeve tona dixhitale, por kjo nuk ka ndodhur kështu që ky është një sukses. Grupi që na sulmoi ka organizuar sulme ndaj vendeve që i kanë marrë shumë kohë më parë hapat në botën dixhitale, që nga Izraeli te Arabia Saudite dhe sulmet kanë qenë të rënda dhe të dëmshme. Sistemet tona kanë rezistuar dhe kemi një projekt që e kemi nisur dhe që kërkon një investim intensiv”, u shpreh Rama.

Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ku për pasojë për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Sistemi TIMS u rikthye në të gjitha pikat kufitare pas 24 orësh. Ndërkohë, në korrik u sulmuan shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjës për të dy sulmet është Irani, ndërsa për këtë arsye Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.

/retsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme