Shqipëria dorëzon në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

Shqipëria ka dorëzuar në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”. Mes diskutimesh dhe debatesh, Kuvendi miratoi më 21 korrik me 125 vota pro, rezolutën kundër raportit të Martyt.
Misioni i përhershëm i Shqipërisë i dorëzoi të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe vëzhguesve Rezolutën mbi pabazimin e pretendimeve për tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me kërkesë për t’ia dorëzuar organeve kompetente.
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën e vitit 2011, duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/ose Kosova.
“Në dritën e zhvillimeve të ndodhura gjatë dekadës së fundit, fakte, prova dhe informacione të përditësuara, duke marrë parasysh edhe angazhimin, vullnetin dhe bashkëpunimin e plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Përfaqësia e Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri Përfaqësimi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë Këshillit të Evropës shfrytëzon këtë mundësi për të ripërsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të vendeve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës“, thuhet në dokument.
Rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës; sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Por më 22 korrik, Këshilli i Evropës, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, nëse do ta marrë parasysh Rezolutën e Shqipërisë, tha se Asambleja e Këshillit të Evropës mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte, përfshirë raporte vijuese për çfarëdo teme që bie në mandatin e këtij Këshilli.
Sakaq, kujtojmë se pak pas miratimit në Kuvend të rezolutës, reagoi dhe Rusia. Ministria e Jashtme ruse shpreh vendosmërinë e vendit në qëndrimin e saj se personat e përfshirë në trafikim organesh duhet të dënohen.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




