Veliaj takon kryetarin e Komunës së Gostivarit: Ecim krah për krah me Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimit në BE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me të cilin diskutuan rreth realizimit të aktiviteteve të ndryshme për të rinjtë, në fushën e inovacionit, artit, kulturës etj.
Veliaj tha se në fund të verës në Tiranë do të ketë një javë dedikuar kulinarisë, kulturës, këngëve, e valleve të Gostivarit për të kuptuar që ka më shumë gjëra që i bashkojnë dy vendet.
“Jemi të lumtur që ju presim si Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe më bëhet zemra mal që kemi filluar idetë e para se si disa nga shkollat e Gostivarit dhe te Tiranës mund të bëhen shkolla simotra. Mezi pres që kontributi ynë të jetë më shumë për të forcuar këto marrëdhënie mes të rinjve. Mezi pres gjithashtu, që në fillim të vjeshtës të kemi javën e Gostivarit këtu, të kulinarisë, të kulturës, të këngëve, të valleve edhe të kuptojmë që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se gjërat që na ndajnë”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se Shqipëria e mbështet Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave dhe do që të ecin krah për krah në rrugën drejt integrimit.
“Mezi presim qe Maqedonia e Veriut te ece perpara. Ne e shohim këtë jo si dikush që ndjek tjetrin, po si dy popuj qe ecin krah për krah, jo njëri para e tjetri pas. Dëshira që na del nga zemra është të shkojmë në këtë rrugë sëbashku dhe të dalim faqebardhë”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




