Buxheti 2027 në Komisionin e Ligjeve, SPAK pa kërkesa shtesë, KLGJ dhe KQZ kërkojnë rishikim të fondeve

Politikë | 49 minuta më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka vijuar dëgjesat publike për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”. Në fokus të diskutimeve ishin kërkesat financiare të Ministrisë së Drejtësisë dhe pesë institucioneve të pavarura, ku relatore ishte deputetja Aulona Bylykbashi, me praninë edhe të përfaqësueses së Ministrisë së Financave, Vilma Çausholli.

Buxheti i Drejtësisë në nivele historike

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e vlerësoi buxhetin e vitit 2027 si më të lartin të akorduar deri më tani, duke kapur shifrën e 29.95 miliardë lekëve. Ky fond, sipas ministrit, do të fokusohet në pesë drejtime kryesore, që përfshijnë “aksesin e qytetarëve në drejtësi, mbrojtjen e fëmijëve, riintegrimin e të dënuarve, përmbylljen e kompensimit të pronave dhe dinjitetin në sistemin penitenciar”.

Gogu detajoi se fondet do të mundësojnë hapjen e 10 zyrave të reja për Ndihmë Juridike Falas, një rritje me 66% të buxhetit të Shërbimit të Provës, si dhe investime thelbësore infrastrukturore.

Ndër to veçoi “rikonstruksionin e institucionit për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve në Mëzez, ndërtimin e spitalit për personat me mjekim të detyruar në Shënkoll”, si dhe vijimin e projektimit të Polit të Drejtësisë në Tiranë.

SPAK dhe Presidenca pa kërkesa shtesë

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme (SPAK), përmes prokurorit Alfred Shehu, konfirmoi se nevojat e këtij institucioni për vitin e ardhshëm janë përmbushur. Shehu sqaroi para komisionit se kërkesat “janë miratuar nga Ministria e Financave dhe nuk paraqiti kërkesa shtesë”.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, Valbona Lusha (Muhaj), e cila konfirmoi se kërkesat e institucionit janë marrë parasysh. Ndërkohë, relatorja Bylykbashi njoftoi se as ILDKPKI nuk ka paraqitur kërkesa për fonde shtesë përtej tavaneve të miratuara.

KLGJ, KQZ dhe ILD apelojnë për mbështetje financiare

Në kontrast me institucionet e mësipërme, disa institucione theksuan mungesën e theksuar të financimit dhe kërkuan ndërhyrje. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Ilir Rusi, ngriti shqetësimin se buxheti i akorduar për vitin 2027 është “1.1% më i ulët se ai i miratuar për vitin 2026”. Sipas Rusit, institucioni ka marrë “37% më pak fonde nga sa kishte kërkuar”, një mungesë që prek drejtpërdrejt prioritetet e punës, duke “përfshirë sigurinë në gjykata, numrin e punonjësve dhe kostot operative”.

Për buxhet shtesë apeloi edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili kërkoi një shtesë prej 85.5 milionë lekësh. Këto fonde u kërkuan në zërin e mallrave dhe shërbimeve për “mirëmbajtjen e moduleve dhe licencave të sistemeve të teknologjisë së informacionit që ka në përdorim KQZ”, si dhe për qiranë e magazinës së institucionit.

Sekretarja e Përgjithshme e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Dëshira Pasko, kërkoi mbështetje financiare për përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Rezoluta e Kuvendit. Ajo argumentoi nevojën për një buxhet në total prej rreth 484.3 milionë lekësh, të domosdoshme për “shpenzime korrente për paga në zbatim të ligjit 95/2026, shpenzime operative dhe mirëmbajtje sistemi IT, si dhe financimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve dhe Dokumenteve në ILD”.

Në mbyllje të dëgjesave publike, kreu i Komisionit, Ulsi Manja, siguroi të pranishmit se kërkesat e tyre “do të rakordohen me Ministrinë e Financave për të parë mundësinë e rialokimit të fondeve brenda tavaneve buxhetore”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme