Sulmi kibernetik, deputetja Xhixho: Siguria kombëtare në rrezik, SPAK të ndërmarrë një hetim të plotë

Politikë | 4 vite më parë

Partia e Lirisë ka shprehur shqetësim për sigurinë kombëtare duke marrë shkas nga mos funksionimi i përkohshëm i faqeve zyrtare të institucioneve publike. Për këtë parti është urgjente domosdoshmëria për transparencë mbi atë që po ndodh me shërbimet online, pasi shqiptarët janë në terr informativ.

Në një reagim në Facebook deputetja Erisa Xhixho i drejtohet SPAK të ndërmarrë një hetim të plotë për tenderat e pafundme të AKSHI-t, të cilat për të, qartazi janë përdorur për t’u pasuruar pushtetarët dhe jo për sigurinë e informacioneve të shtetit dhe qytetarëve.

“Siguria kombëtare po rrezikohet si kurrë më parë së fundmi nga sulmi i paprecedentë kibernetik në sistemet qeveritare. Bashkë me to ka rënë siguria e informacionit dhe e jetës pas marrjes së gjithë të dhënave nga hakerat në portalin e-Albania dhe jo vetëm.

Kjo histori dështimi spektakolar e ka zanafillën me VKM nr.673, datë 22.11.2017 për riorganizimin e AKSHI-t. Përqëndrimi apo qendërzimi i të dhënave qeveritare në mënyrë piramidale në këtë organ, e ka bërë sigurinë e shtetit tonë sot më vulnerabël se kurrë.

Dështimet u paralajmëruan qysh me skandalet e publikimit të të dhënave të 900 mijë shqiptarëve më herët, që u pasua me daljen e të dhënave të targave e pagave. Tashmë, gjendja ka precipituar në dimensione të paparashikueshme.

Sot shqiptarët janë në mëshirë të armiqve dhe hakerave të tyre.

SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të plotë për tenderat e pafundme të AKSHI-t, të cilat qartazi janë përdorur për t’u pasuruar pushtetarët dhe jo për sigurinë e informacioneve të shtetit dhe qytetarëve.

Qeveria të japë llogari dhe të nxjerrë përgjegjësitë e mosmarrjes masave të domosdoshme për ta parandaluar këtë krim kombëtar.

Bazuar në Nenin 19 të Ligjit nr.2/2017 “Për Sigurinë Kibernetike”, duhet të shpallet urgjentisht gjendja e krizës kibernetike, e cila bazuar në pikën 2 të këtij neni shpallet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozimin e Ministrit përgjegjës. Asnjë nga këto hapa nuk po merren, çka implikon drejtpërdrejt qeverinë në shpërdorim të thellë detyre me mosveprim.

Është urgjente domosdoshmëria për transparencë mbi atë që po ndodh me shërbimet online, pasi shqiptarët janë në terr informativ.

Çdo minutë që vonon, na ngarkon me përgjegjësi historike, pasi nuk ka asnjë të dhënë se gjithçka mbaroi me kaq”, shkruan Xhixho.

Nga ana tjetër AKSHI ka bërë të ditur se do të kryejë një operacion mirëmbajtje të sistemeve dhe faqeve zyrtare të institucioneve publike.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme