‘Dosja I.M.’, PS-PD nisma për ndryshimin e ligjit për ish sigurimsat dhe hapjen e dosjeve në periudhën 1944-1991

Politikë | 4 vite më parë

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dërguar nismat e tyre për ndryshime ligjore lidhur me transparencën e dosjeve të ish sigurimit dhe hapjen e plotë të dosjeve për periudhën 1944–1991.

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend nismat ligjore për ndryshime të Ligjit për të drejtën e informimit rreth dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kjo nisëm ndërmerret pas skandalin të dosjes I.M. ku Autoriteti i Dosjeve i ka dërguar letër Kuvendit se duhet të verifikojnë këtë personazh me profil të lartë publik si ish sigurims.

Në nismat ligjore të PS kërkohet verifikim i të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.Kjo nisëm u dorëzua nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Bushka tha se këto nisma synojnë edhe plotësimin e boshllëqeve në legjislacionin ekzistues me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe ish sigurimit e shteti të mos jenë më pjesë e vendimmarrjes.

“Nisur nga shkresa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më date 26.07.2022 lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë” të ndryshuar si dhe të Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar .

Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Certifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentet e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.

Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.

Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre. Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike. Për t’u siguruar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimmarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai,” tha Bushka.  

Edhe PD përmes deputetit Kreshnik Çolllaku depozitoi në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991. Sipas PD kjo nisëm do të bëjë transparencë dhe do u jap të drejtën të gjithë personave të mësojnë se çfarë u ka ndodhur familjarëve të tyre gjatë regjimit të egër komunist.

‘Ashtu siç është bërë me dije, një grup deputetësh dhe ekspertësh të Partisë Demokratike kanë punuar me përkushtim gjatë kësaj kohe për përgatitjen e një pakete ligjore që synon dekomunistizimin e plotë të vendit dhe ndarjen një herë e mirë nga e kaluara komuniste. Në këtë kuadër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një nismë ligjore për shpalljen muze kombëtar të Kampit të Punës së Detyruar të të Burgosurve në Spac dhe Kampin e Internimit Tela me Gjemba Tepelenë. Ndërsa, sot kemi depozituar një projektligj që sanksionon deklasifikimin e plotë dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944–1991.

Zbardhja e atyre dokumenteve do t’iu shërbejë këtyre personave, por edhe familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën e dhimbshme të asaj që ishte jeta e tyre për 45 vite. Në këtë kuptim, ky projektligj realizon një të drejtë thelbësore për këta individë, që është e drejta për të mësuar të vërtetën e jetës dhe familjes së tyre deri në fund. Por, mbi të gjitha ky projektligj realizon edhe një qëllim tjetër parësor për të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë në të drejtën e tyre legjitime për të njohur e kuptuar historinë e afërt të paraardhësve, familjeve, të afërmve, miqve dhe vendit të tyre.

Për Partinë Demokratike, kjo nuk ka qenë dhe nuk është një çështje emrash, por parimesh dhe standardesh. Ne jemi të vendosur për transparencë të plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, dhe krahas dy nismave të depozituara, Partia Demokratike ka gati projektligjin për dekomunistizimin e simbolikave të diktaturës komuniste”, tha Çollaku.

Më herët, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri me dije se një personazh me profil të lartë publik me iniciale I.M rezultonte të ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa RTSH zbardhi letrën dhe vendimin e Autoritetit drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku përmendet emri i Ilir Metës. Ky i fundit reagoi duke theksuar se dosjet janë të manipuluara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme