“Dosja I.M.”/ Alibeaj: Shteti dhe shoqëria kanë nevojë ulëritëse të dekomunistizohen

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enlekejd Alibeaj ka reaguar për publikimit të emrit të ish presidentit Ilir Meta nga Autoriteti i Dosjeve, i cili ka zbuluar se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Për këtë fakt Alibeaj thotë se është informuar edhe nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikoklla për t’u njohur me materialet.
Sipas Alibeajt për PD nuk kanë rendësi emrat e përveçëm, por standardet që për PD janë dekomunistizimi dhe largimi i sigurimasve duke bërë deklasifikimin e dosjeve të sigurimit të shtetit.
Alibeaj kujton se PD ka iniciuar dhe mbështetur çdo përpjekje ligjore, politike dhe të shoqërisë civile për transparencën e munguar për dosjet e diktaturës.
“Sot paradite pata një ftesë të papritur nga Kryetarja e Kuvendit zonja Lindita Nikolla. Kërkoi të më vinte në dijeni të materialeve të mbërritura nga Autoriteti i Dosjeve, si Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së. Refuzova të njihesha me detajet e dosjes sekrete të politikanit me inicialet I.M. ! Për mua si politikan dhe për PD-në si parti e themeluar mbi parimet e transparencës, standardet dhe jo emrat e përveçëm, janë të rëndësishme për funksionimin normal të demokracisë.
I bëra me dije Kryetares së Kuvendit se qëndrimi i PD-së për çështjen e dosjeve ka qenë koherent dhe vijon të mbetet i pandryshuar. Shoqëria dhe shteti shqiptar ka nevojë ulëritëse të dekomunistizohet.
Ne kemi qenë ata që kemi kërkuar përjashtimin e sigurimsave nga emërimet në reformën në drejtësi dhe ia kemi arritur. PD jo vetëm ka kërkuar, por ka përgatitur dhe projektligjin për dekomunistizimin. Kemi depozituar projektligjin për kthimin e Spacit dhe Tepelenës në muze kombëtarë. Kemi kërkuar sistematikisht deklasifikimin e dosjeve të sigurimit të shtetit, madje edhe 1 javë më parë në Kuvend, e do depozitojmë iniciativën përkatëse për këtë qëllim.
PD ka iniciuar dhe mbështetur çdo përpjekje ligjore, politike dhe të shoqërisë civile për transparencën e munguar për dosjet e diktaturës. Vetëm kështu makthet e shpirtrave të trazuar në komunizëm do të zhduken dhe psikoza e shantazhit do marrë fund.
Fakt i hidhur mbetet që gjatë 30 viteve, klasa politike në Shqipëri ka qenë e paaftë t’ju ofrojë shqiptarëve të vërtetën e plotë të dosjeve të sigurimit të shtetit. Sikundër të njëjtët politikanë i kanë përdorur dosje të tilla për shantazhe të interesave të pushtetit personal. PD e ka të qartë dhe të palëkundur qëndrimin e saj për çështjen e dosjeve dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.
Transparenca e munguar është drejtësia e mohuar për ata mijëra shqiptarë që vuajtën gjatë diktaturës komuniste. Çdo iniciativë për hapjen e dosjeve, lustracionin apo dekomunistizimin, siç ne kemi kërkuar sistematikisht, do të ketë mbështetjen e plotë tonën. Por këto iniciativa duhet të bëhen të plota, të sinqerta dhe ezauruese, dhe jo gjysmake në funksion të lojërave të vogla politike.
PD u krijua si forcë antikomuniste dhe do të vijojë të përmbushë misionin e saj, rivendosjen në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur dhe vlerave të mohuara gjatë diktaturës komuniste”, shkruan Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



