“Stoli i Artë” për Cristian Chivu, trajneri i Interit lë pas Fabregas dhe Gasperini

Rumuni është shpërblyer me çmimin individual për fitimin e titullit kampion në Serie A me zikaltrit. Plotësojnë podin trajneri i Como dhe Roma.
Cristian Chivu ka fituar çmimin “Stoli i Artë 2026”. Një vlerësim që e ka entuziazmuar trajnerin e Interit, i cili u shpreh: “Është speciale gjithmonë kur merr një çmim të kësaj natyre. Falënderoj klubin dhe lojtarët, që i transformojnë gjithmonë idetë e trajnerëve në rezultate. Falënderoj edhe familjen time, që është gjithmonë afër në fitoret e mia, por mbi të gjitha te humbjet”.
Trajneri rumun, që sezonin e kaluar fitoi titullin dhe Kupën e Italisë në vitin e parë tek Interi, në edicionin e 35-të të “Stolit të Artë” mori 16 vota (nga 43) nga kolegët e tij. Ai u rendit para Cesc Fabregas (Como, 12 vota) dhe Gian Piero Gasperini (Roma, 9 vota).
I lindur në Rumani në 1980-ën, Cristian Chivu e ka nisur karrierën si trajner në 2018-ën, me të rinjtë e Interit. Ai i ngjiti me shpejtësi kategoritë nga U-14 deri te Primavera (2021-2024). Debutimi në Serinë A erdhi në shkurt të 2025-ës, me Parmën. Ai e shpëtoi këtë skuadër nga rënia një kategori më poshtë me një futboll solid.
Në qershor 2025 u zgjodh nga Interi për të zënë vendin e Simone Inzaghi. Sezonin e parë në krye të zikaltërve (2025/26), Chivu imponoi një 3-5-2 vertikal dhe agresiv, që solli fitimin e titullit dhe Kupës së Italisë. Ai u bë i pari në erën moderne që triumfon në kampionat me Interin si futbollist dhe si trajner.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




