Partia e Lirisë: Të bëhet publike dosja se kush është I.M.! Autoriteti i Dosjeve: Ndiqni rrugën ligjore

Politikë | 4 vite më parë

Partia e Lirisë i ka bërë thirrje Autoriteti të Dosjeve që të bëjë publike dosjen e ish sigurimsit që ka inicialet I.M. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka tha se Autoriteti i Dosjeve nuk ka informuar Ilir Metën për asgjë rreth shfaqjes së emrit të tij në arkivat e ish-sigurimit të shtetit. Partia e Lirisë i ka bërë thirrje Autoritetit të Dosjeve që të sqarojë menjëherë kush është shtetasi I.M.

“Lidhur me vendimin 227, datë 17.5.2022, të Autoritetit të Dosjeve, të publikuar sot në media, konfirmojmë zyrtarisht se: Kryetari i Partisë së Lirisë, z.Ilir Rexhep Meta nuk i është drejtuar kurrë Autoritetit të Dosjeve me asnjë kërkesë për informim. Autoriteti i Dosjeve nuk i ka vendosur kurrë në dispozicion me kërkesë të tij, z.Ilir Rexhep Meta një dosje të ish-Sigurimit për shtetasin I.M. Vendimi i Autoritetit të Dosjeve, siç rezulton nga vendimi i është dorëzuar shtetasit I.M, që e ka kërkuar, në një “datë historike”, 17 majin e martesës Rama-Basha, por kurrë z.Ilir Rexhep Meta. Ky vendim provon se Kryetari i Partisë së Lirisë, z.Ilir Rexhep Meta nuk ka asnjë lidhje me shtetasin I.M. I bëjmë thirrje Autoritetit të Dosjeve, që me një e-mail anonim justifikon këtë lojë të pështirë institucionale, politike dhe mediatike, kur e di shumë mirë brendinë e dosjes dhe pasojat e saj, të sqarojë menjëherë kush është shtetasi I.M.”, tha Caka.

Kësaj thirrje i është përgjigjur edhe Autoriteti i Dosjeve, e cila tha se të gjithë të interesuarit për dosjet e ish-sigurimit duhet të ndjekin rrugën ligjore.

“Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit doli me njoftim zyrtar më 26 korrik, mbi problematikat në verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve, funksionarëve të lartë publikë dhe të zgjedhurve qendrorë e vendorë, informacione që iu përcollën, me propozimet përkatëse, Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe, kanë qarkulluar shumë interpretime mbi informacionin e përcjellë nga institucioni. Autoriteti përgënjeshtron lajmet që referojnë vendime dhe dosje të shtetasve të ndryshëm, (si ai nr. 227, datë 27.05.2022) pjesë e punës së përditshme, të publikuara rregullisht në faqen zyrtare. Institucioni fton të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim, bazuar në ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr. 45/2015, i ndryshuar. Të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur. Autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara apo kërkuara. Aktualisht, institucioni po trajton për përgjigje kërkesat për informim mbi njoftimin e datës 26 korrik. Autoriteti nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore.

Institucioni është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, që do të marrin kohën e tyre të trajtimit. Rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore të cituar më herët”, thuhet në reagimin e Autoritetit të Dosjeve.

Ditën e djeshme, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri me dije se një personazh me profil të lartë publik me iniciale I.M rezultonte të ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa RTSH zbardhi letrën dhe vendimin e Autoritetit drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku përmendet emri i Ilir Metës. Ky i fundit reagoi duke theksuar se dosjet janë të manipuluara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme