Meta: Basha i infiltruar nga mafia tek opozita, Rama vjedhës i pamëshirshëm

Politikë | 4 vite më parë

Ilir Meta, i cili tashmë është në drejtim të subjektit politik “Partia e Lirisë”, deklaroi sot se do të nisë aksionin për një “revolucion anti-korrupsion”. Sipas Metës, 3 janë detyrat për të cilat do të punohet nga “Partia e Lirisë”: revolucioni antikorrupsion; organizimi i partisë duke u hapur; përgatitja për qeverisjen e vendit.

Që në krye të fjalës së tij, Meta është ndalur sërish tek ish- kryetari i PD, Lulzim Basha, duke e cilësuar atë si të shitur, që ndante fitimet me mafien, dhe ishte infiltruar për të bërë opozitë fasadë. 

“Ka rënë prej kohësh. Qeveri prej letre që ka vonuar një popull zemërluan, syshqiponjë. Qeveria e korrupsionit të paparë dhe e veprimeve antikombëtare, kishte zënë përfundi Lulushin që u përpoqët aq shumë ta bënit kryeministër. Ishte shitur dhe infiltruar për të bërë opozitën fasadë. Ndante fitimet dhe përfitimet me mafien në pushtet. Tani kohët kanë ndryshuar. Nuk kam ardhur në ish partinë e vjetër, por ju kam thirrur aty ku kam qenë me 2 mars, me popullin”, tha Meta.

Meta e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama, si vjedhës të pamëshirshëm dhe thotë se përdori deri dhe firmat e atyre që kanë ikur nga kjo botë. Sipas tij, teksa qeveria ecën me hap për të vjedhur e për të zhytur në borxhe Shqipërinë, se e ka të qartë fundin e saj, ne duhet të ecim me ritëm më të shpejtë kundër korrupsionit.

“Në krye është Edi Rama, një vjedhës i pamëshirshëm që vjedh jo veç mes buxhetit të shtetit, jo të të dhënave të qytetarëve shqiptarë, por ka shkelur dhe kodet kanunore, duke përdorur firmat e atyre që kanë ikur nga kjo botë prej kohësh. Nuk ka asnjë lidhje me socialistët. Ky është mjeshtër i paparë për të korruptuar, për të shantazhuar e përçarë. Nuk është ky thjesht problemi, ecën me shpejtësi korrupsion dhe shumica e familjeve shqiptare ecin me varfëri, sepse korrupsioni dhe varfëria janë të lidhura bashkë. Vjedh edhe në pandemi. Veç tendera sekret për të vjedhur. Ai nuk është i paaftë, por është i pacipë”, tha Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme