Zv/ndihmëse sekretarja e Shtetit takim me Krajën dhe Manjën: Krenarë për bashkëpunimin dhe mbështetjen për drejtësinë e re

Politikë | 4 vite më parë

Zv/ndihmësja sekretare e shtetit Lisa Johnson po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Johnson është takuar sot me ministrin e drejtësisë Ulsi Manja dhe kreun e SPAK Arben Kraja, për të treguar mbështetjen e SHBA në reformën në drejtësi dhe inkurajuar institucionet ligj-zbatuese për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Johnson është takuar me kreun e SPAK, Arben Kraja, ku tha se është krenare për bashkëpunimin që SHBA ka me këtë institucion, punën e të cilit e ka ndjekur në çdo hap.

“Krenarë për bashkëpunimin me SPAK, të cilin SHBA e ka mbështetur nga afër në çdo hap të tij, nga ngritja tek rekrutimi & fillimi i punës. Presim me kënaqësi vizitën muajin e ardhshëm në Uashington dhe Akademinë e FBI-së në Quantico” tha Johnson

Më herët Zv/ndihmësja sekretare e shtetit Lisa Johnson takoi edhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilit i shprehu angazhimin e SHBA-së për reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe narkotrafikut.

“Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Ambasadorja Lisa Johnson ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ajo u takua sot me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të diskutuar mbështetjen e qeverisë amerikane për reformën e vazhdueshme në drejtësi në Shqipëri. Qeveria e SHBA është e angazhuar për reformën në drejtësi dhe luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe narkotrafikut. Teksa festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, ne qëndrojmë me Shqipërinë krah për krah”, tha Johnson

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme