Maqedonia e Veriut miraton propozimin francez, Berisha: Vendim historik! Mbështesim rrugëtimin drejt BE

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit Sali Berisha ka përgëzuar parlamentin maqedonas për pranimin e propozimit të Francës, duke i hapur rrugë çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Teksa e konsideron vendim historik, Berisha shpreh mbështetje e PD në këtë rrugëtim.

“Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona.

Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.

Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët“, shkruan Berisha. 

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, duke i hapur rrugën drejt integrimit evropian Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme