“Krimet e rënda nuk do mbeten pa u hetuar”, i dërguari special i Zelenskyt merr mbështetjen e Shqipërisë, takon Ballën dhe Spiropalin

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është takuar me të dërguarin special të Presidentit të Ukrainës, Rustem Umerov. Në fokus të bisedimeve mes tyre ishte situata në Ukrainë dhe qëndresa e popullit që po Lufton edhe për Ballkanin dhe për të ardhmen e Europës.
Spiropali deklaroi se Shqipëria e ka treguar mbështetjen ndaj Ukrainës edhe në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe duke iu bashkuar sanksioneve ekonomike të BE ndaj Rusisë.
“I veçantë takimi me z. Rustem Umerov, i dërguari special i Presidentit Zelensky, njëkohësisht nënkryetar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe anëtar i delegacionit të bisedimeve për paqe. Biseda kishte në fokus situatën në Ukrainë dhe qëndresën e një populli që po lufton edhe për Ballkanin, edhe për të ardhmen e Europës.
Shqipëria e tregoi që në krye të herës mbështetjen ndaj popullit ukrainas, duke u bërë bashkëpenëmbajtëse e kësaj çështjeje bashkë me Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe duke iu bashkuar sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Federatës Ruse.
Miratimi në Kuvend i Rezolutës që dënon me forcë agresionin rus në Ukrainë sikurse ndihmesa ushtarake & humanitare, ishin dëshmi konkrete e atyre vlerave perëndimore që vendi ynë i ngriti në lartësinë e misionit, sinkron me vendet aleate”, shkruan Spiropali në rrjetin social Facebook.
Po ashtu edhe Kryetari i grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla ka zhvilluar një takim me anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.
Balla shprehet se NATO do të vijojë të mbështesë Ukrainën në luftën me Rusinë. Për Ballën krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndërshkuar.
“Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndërshkuar urdhëruesit dhe autorët.
Shumë i nderuar të mirëpres në Kuvendin e Shqipërisë të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.
Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia.
Ne qëndrojmë në krah të popullit ukrainas dhe e konsiderojmë këtë agresion si një sulm kundër lirisë dhe demokracisë. Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndërshkuar urdhëruesit dhe autorët.
Aleanca jonë – NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me asistencë në siguri për të luftuar agresionin rus dhe për të mbështetur të drejtën e tyre për vetëmbrojtje”, shprehet Balla.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




