Ndoka për RTSH: Arbitrarisht na sekuestruan zyrat e ia dhanë Avokatit të Shtetit! Na morën vulën e partisë e ndërruan bravat

Politikë | 4 vite më parë

Zyrat e Partisë Demokristiane, vula e partisë dhe i gjithë dokumentacioni i saj janë sekuestruar nga Policia e Shtetit. Denoncimin e ka bërë vetë kreu i PDK, Nard Ndoka, i cili në një prononcim për RTSH e ka cilësuar këtë vendim arbitrar dhe absurd që ndodh lidhur me një godinë që është në pronësi të Kuvendit dhe sipas ligjit u takon partive politike.

Ndoka sqaroi se sekuestrimi i zyrave është bërë pasi me një shkresë të Këshillit të Ministrave këto ambiente do i kalojën Avokatit të Shteti, që sipas tij, është një institucion parazit që është ‘fryrë’ me punonjës me kalimin e kohës duke mbledhur rreth vetes militantë dhe njerëz parazitë.

“Ky është një vendim arbitrar, pasi godina e PDK është pronë e Kuvendit dhe me ligj u  jepet partive politike. Me një shkresë të Këshillit të Ministrave, edhe pse ligji u jep të drejtë partive politike, ia ka kaluar Avokatit të Shtetit që nga 25 punonjës ka shkuar me 250 punonjës, në strukturë e fryrë e krijuar nga militantë dhe njerëz parazit. Avokati i Shtetit është një kat sipër godinës tonë dhe ka ardhur më vonë dhe si institucion parazit vepron më mënyrë tinëzare. Ato godina i takojnë me ligj partive politike”, tha Ndoka për RTSH.

Kreu i PDK-së, Ndoka sqaroi se palët ndodheshin në një proces gjyqësor për çështjen që kishte nisur para disa muajsh, ndërsa e cilëson këtë ndërhyrje të dhunshme në një kohë që gjykata ende nuk ka dalë me vendim duke shkelur ligjin. Ai shtoi se në mënyrë tinëzare i janë ndryshuar bravat zyrave, është sekuestruar vula e partisë dhe se ai nuk mundet dot të bëja as edhe një shkresë zyrtare.

“PDK është në një proces të riorganizimit dhe në shtator kam thirrur kongresin e jashtëzakonshëm dhe sot ne nuk bëjmë dot veprime pasi na është ndërruar brava, na është sekuestruar vula e parisë dhe të gjithë dokumentacionet. Nuk kemi mundësinë që të dërgojmë asnjë shkresë zyrtare se nuk kemi vulën tonë. Ishim në një proces gjyqësor dhe në mënyrë të dhunshme u ndërhy duke sekuestruar zyrat pa pasur ende një vendim gjykate, kjo është shkelje e ligjit. Absurde të shkojmë në një godinë tjetër, ku godina ku jemi u përket partive politike”, tha Ndoka.

Orkestrues të kësaj çështje, Ndoka bënë kryeministrin Rama i cili thotë se po godet pluralizmin në vend.

“Vetëm një kishim që ndryshonte bravat në parti dhe kryeministri e mbrojti me gaz, por Rama duhet të kuptojë se kjo nuk është çështje bravash”, tha Ndoka

Noka tha se ka bërë shkresë presidentit Meta, edhe kryeministrit Rama, që sipas tij hiqet sikur nuk di gjë, por edhe institucioneve ndërkombëtare si BE dhe SHBA, ndërsa shton se “ambasadorët që i fusin hundët në punët e partisë të reagojnë kur cenohet pluralizmi”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme