Zgjedhjet në PS, Rama: Ia pamë hajrin barazisë gjinore, bashkëdrejtim të degëve aty ku ka kandidatura cilësore burra e gra

Partia Socialiste ka nisur një tur të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit. Nga Elbasani ku u prezantuan 3 kandidatët e përzgjedhur për fazën finale, Ardit Demiri, Ermira Urupi, Agron Lulaj, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi rolin e grave socialiste, të cilat kanë kontribute dhe cilësi të mira të nevojshme për ripërtëritjen e partisë dhe për këtë arsye, shtoi kryeministri, në ato dogë që do të ketë kandidatura cilësore burra e gra do të ketë bashkëdrejtim të degëve të Partisë Socialiste.
“Kur ai foli për një baba, unë po shikoja Ermirën që është kandidate aty. Ka nevojë të sqarohet kjo, ne kemi në këtë proces gra dhe burra, kemi rënë dakord në Kryesinë e PS-së, kudo që të kemi kandidatë cilësorë dhe meritojnë mbështetje për të kontribuar në drejtim të partisë që janë edhe burrë edhe grua, edhe vajzë edhe djalë, do kemi bashkëdrejtim të partisë në nivelin e organizata. Aty ku kjo ka ndodhur, kemi parë që rezultatet janë domethënëse. Ermira nuk bëhet dot baba e partisë Damian, por nëse ajo është e duhura për anëtarët e partisë, ajo do jetë kryetarja e partisë. Nëse ndonjë tjetër do performojë në mënyrë bindëse, në Elbasan do kemi bashkëdrejtim të PS-së. Ne ja kemi parë hajrin barazisë gjinore, pasi punët e partisë kanë shkuar mirë. Mos ta quajmë kryetarin e partisë gjithmonë një figurë detyrimisht, figurë babe. Ju uroj suksese kandidatëve këtu”, tha Rama.
Rama tha se kjo është një garë e hapur që do të sjellë ripërtëritje të PS dhe se duhet marrë shumë seriozisht nga kandidatet që të prezantojnë platformat e tyre më të mira.
“Kjo është dita e tre kandidatëve këtu për t’u ballafaquar me ju dhe me komisionin e zgjedhjeve. Dua të shfrytëzoj këtë rast që t’i themi të gjithë atyre që presin që të kenë prezantimet dhe ballafaqimet e tyre të përgatiten seriozisht pasi kjo është një garë e hapur. Kam ngelur shumë i inkurajuar nga ajo që kam parë në distancë dhe sot jam këtu së bashku me deputetët e Elbasanit. Na vjen mirë që na jepet mundësia që të marrim pjesë në një proces si ky. Një proces që synon të ripërtërijë me një mekanizëm të ri strukturën e Partisë Socialiste. Ju uroj suksese kandidatëve”, tha Rama
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




