Berisha për samitin e Open Balkan: Takimi i Ohrit katastrofë, Rama i mban krahun padronit Vuçiç që s’njeh gjenocidet

Politikë | 4 vite më parë

Nga Elbasani, Sali Berisha, kreu i PD i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi, e ka cilësuar samitin e ‘Open Balkan’ në Ohër një katastrofë, ku sipas tij kryeministri Edi Rama mohon gjenocidin serb në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë për hir të lidhjeve me presidentin Aleksandër Vuçiç.

Për Berishën, Vuçiç nuk njeh gjenocidin dhe është i gatshëm ta kryejë sërish gjenocidin sa herë t’i jepet mundësia.

“Takimi i Ohrit, cilat ishin mesazhet? Mesazhet ishin katastrofë. Në një anë i dilej zot atij që nuk e njeh gjenocidin. Ai që nuk e njeh gjenocidin është kriminel për definicion, i gatshëm për ta kryer atë sa herë të ketë mundësi. Sepse ai e quan gjë të mirë atë, ai e quan krim të dobishëm. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë, kurrë, njeri që në një samit, duke pasur aty si padron Vuçiçin të thoshte se të merremi tani se ke vrarë këtë, ke therur atë sikur të ishin njerëzit, më falni berra dhe jo njerëz për një kasaphanë njerëzore. Ky ishte një moment, shumë i rëndë. Nuk mund të flasësh në këtë mënyrë për viktimat e gjenocidit. Ti je një fatkeqësi njerëzore, jo kombëtare që flet në këtë mënyrë”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për situatën në PD, ku tha se në 9 muajt e fundit partia kaloi në një proces rithemelimi dhe se tani duhet të shkojë drejt hapjes së vlerave dhe njerëzve të ndershëm që kanë ideale.

“Në një hark kohor 9 mujor, ndoshta dhe të zgjatur më shumë se duhej, PD kaloi një proces rithemelimi. Vendosi disa rregulla, ndryshime thelbësore statutore, sot të gjithë drejtuesit tuaj janë tuajit, i keni zgjedhur vetë dhe nuk do caktohen më nga ne. Kjo ka një vlerë të madhe sepse zhdërvjelltëson format e përfaqësimit. Të zgjedhurit do t’u shërbejnë ju, dhe ky është hapi i parë i rëndësishëm, por ama, po ta marrim në realitet ne në këtë periudhë kemi ringrit në këmbë PD, se kishte kaluar nga disfata në disfatë, dhe në fund në mënyrën më të padenjë po shndërrohej në një shtojcë të PS. Këto arritje kërkojnë me etje të madhe, hapjen e PD drejt vlerave, njerëzit që kanë ideale, të ndershëm, që e kuptojnë se dashuria për këtë vend është kusht elementar. Sot më shumë se kurrë ky interes është në kërcenim, kjo është një e vërtetë absolute. Në memorien time nuk di një moment në të cilin interesi kombëtar, i qytetarëve, biznesmenëve, e me radhë, të jetë përkeqësuar, rrokullisur sinkronisht në këtë mënyrë”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme