Rrëzohet kërkesa e PD për komision hetimor për Investimet Strategjike, Alibeaj: Kanë frikë! Balla: Kërkesa s’përmbush kriteret

Politikë | 4 vite më parë

Kërkesa e 37 deputetëve të Partisë Demokratike për të ngritur një Komision Hetimor për Investimet Strategjike është rrëzuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj akuzoi Partinë Socialiste se ka frikë të hetojë, teksa e konsideroi ligjin për Investimet Strategjike si “një skandal i madh”.

“Ngritjen e komisionit hetimor, që është nga instrumentet më të rëndësishëm të opozitës. Ne ridepozituam kërkesën, tashmë jo me 35, por me 37 firma. Në mënyrën më antikushtetuese, antiligjore, nga ana e anëtarëve të mazhorancës në konferencë rrëzohet kjo kërkesë. Rregulli, Kushtetuta, e do që instanca e fundit që shprehet për ngritjen e një komisioni hetimor është seanca, por as këtë nuk e lejuan. Kjo çështje demaskoi qëndrimin e mazhorancës. Investimet strategjike, familjare strategjike në kurriz të pasurive publike, duket se është një skandal i madh, ndaj i largohen si djalli nga temjani”, tha Alibeaj.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se kërkesa e deputetëve demokratë u rrëzua për shkak se nuk përmbushte kriteret.

“E kam thënë prej ditës së parë që jam zgjedhur si anëtar i konferencës që respektimi i rregullores nga të gjithë duhet ët jetë orientimi kryesor. Kërkesa e ardhur nga opozita nuk përmbush kriteret themelore. Nuk mund të marrësh një kërkesë të rrëzuar, të marrësh firmat dhe ti risjellësh një kërkesë me numër protokolli të ri. Firma e një qytetari vlen vetëm për një, nuk mund ta marrësh nga një diskutimet ta çosh te dokumenti tjetër. Dëshira jonë është e madhe për të diskutuar për të dhënë mundësinë e çdo lloj mekanizmi të kontrollit parlamentar”, tha Balla.

Deputetët demokratë depozituan më 24 maj në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për Investimet Strategjike, duke akuzuar se ky ligj është shndërrua nga qeveria për abuzimin me pasuritë publike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme