Rama takim me Dendias në Tiranë: Bisedë e frytshme për çështjet me interes! Kryediplomati grek: Diskutuam për integrimin e Shqipërisë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka zhvilluar një takim në kryeministri me kryeministrin Edi Rama. Në përfundim të vizitës së tij në Tiranë, me një postim në Twitter, kryediplomati grek bën me dije se diskutimet me kreun e qeverisë shqiptare u përqendruan në marrëdhëniet mes dy vendeve, perspektivën europiane të Shqipërisë dhe zhvillimet rajonale.
“Në përfundim të vizitës time në Tiranë, u takova me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën. Në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe, perspektiva europiane e Shqipërisë dhe zhvillimet rajonale”, shkruan Dendias.
Takimin me Dendias, edhe kryeministri Edi Rama e cilësoi një bisedë të frytshme në interes të të dy popujve.
“Me Ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias, në një bisedë të frytshme për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë”, shkruan Rama teksa poston foto nga takimi me Dendias.
Më herët gjatë ditës së sotme (23 maj), Dendias zhvilloi një takim me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ku dy liderët ndanë mendimin e njëjtë për shfuqizimin e Ligjit të luftës. Dendias u shpreh se dy vendet duhet të bashkëpunojnë që pikat historike për shfuqizimin e Ligjit të Luftës, të mbyllen sa më shpejt.
Sa i takon çështjes së kufirit detar, Dendias u shpreh se ata do të çojnë shumë shpejt dokumentacionin e nevojshëm në Gjykatën e Hagës, pas marrëveshjes mes vendit tonë dhe Greqisë që kjo çështje të zgjidhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



