Humbi përballë Berishës në garën për kreun e PD, Ibsen Elezi: Në themel të ecjes para është përballja më të keqen

Ibsen Elezi ka reaguar pasi humbi përballë Sali Berishës në garën për kreun e PD-së. Me një postim në Facebook, Elezi shkruan se në themel të ecjes përpara është përballja me të keqen sidomos, sipas tij, në politikë.
Duke falënderuar ata demokratë që e votuan, Elezi i ka bërë thirrje atyre që “presin ditën e marrëveshjes për ndarjen e karrigeve” që të reflektojnë, duke shtuar se në këtë mënyrë nuk i shërbehet as vendet e as vetes.
“Falënderim! Së pari për ata që më inkurajuan dhe votuan, shumicën pa i takuar dhe as njohur. Së dyti për atë pjese të medias, gazetarët dhe opinionistët që më inkurajuan. Se treti për stafin tim modest prej 4-personash që përballoi këto 10 ditë fushate të ngarkuar dhe gjithë vëzhguesit që ndoqën procesin e votimit. Kujtesë! Për ata që mendojnë se do vijnë ditë më të mira duke ndenjur në kafe apo si spektator para TV, ju them me keqardhje se jo vetëm do e kalojnë ashtu në pritje jetën e tyre, por rrezikojnë edhe brezin qe vjen. Ata që presin të arrijnë diçka thjesht se i servilosen dikujt dhe apo ata që presin se kur do vijë dita e marrëveshjes për ndarjen e karrigeve, duhet të kuptojnë se nuk do i shërbejnë dot as vetes dhe jo më të ardhmes së këtij vendi. Në themel të ecjes para është përballja më të keqen, aq më shumë në politike”, shkruan Elezi.
Një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e PD, Elezi kërkoi shtyrjen e tyre, duke hedhur akuza për shkelje ligjore e statutore.
Sali Berisha ka rimarrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend pas 9 vitesh, pasi fitoi garën përballë Ibsen Elezit. Sipas të dhënave të komunikuara nga Komisioni i Rithemelimit, Berisha mori 93.45% të totalit të votave, përkundrejt 5.8% që mori Elezi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



