Sot votimi në Kuvend, palët nuk dorëzojnë asnjë emër, digjet edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri

Politikë | 4 vite më parë

Mungesa e një kandidati do të djegë sot edhe raundin e dytë të votimit për President. Në Kuvend pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 votimi, por asnjë nga palët e përfshira në proces nuk kanë dorëzuar asnjë emër, duke sjellë për pasojë edhe dështimin e këtij raundi të dytë të votimit.

Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave ishte dita e djeshme (22 maj), teksa i takonte opozitës të çonte emrin e propozuar në Kuvend, sipas dakordësisë me maxhorancën, por tashmë negociatat mes palëve për zgjedhjen e Presidentit të ri janë kthyer në pikën zero.

Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka akuzar PS se ka prishur marrëveshjen që kandidati për president t’i dërgohej Kuvendit me firma të përbashkëta, por nga ana tjetër, mazhoranca ka deklaruar se Alibeaj është keqkuptuar, pasi dakordësia nuk ishte që maxhoranca të mbështesë me votat e saj kandidatin e opozitës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se nëse opozita nuk arrihet të zgjidhte një president deri në raundin e tretë, atëherë ata do ta vetë atë në raundin e katërt.

Raundi i parë i votimi dështoi pikërisht për të njëjtën arsye, për shkak të mospropozimit të një emri konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, ndonëse nuk ka asnjë kandidat për t’u votuar edhe raundi i dytë sipas Kushtetutës së Shqipërisë quhet i ezauruar.

Votimi për Presidentin e Republikës kalon në 5 raunde, ku në tre raundet e para zgjidhet me shumicë të cilësuar, 84 vota, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë, kreu i ri i shtetit mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, me 71 vota.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme