Takimi në Berlin me Ramën, deputeti i CDU: Progresi i reformave, i dalluar! Vonesat në çeljen e negociatave, jo për faj të Shqipërisë

Deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian, ka dhënë detaje nga takimi i zhvilluar sot në Berlin me kryeministrin Edi Rama. Në një intervistë për DW ai është shprehur se në takim u bisedua për progresin e reformave në vendin tonë, duke e konsideruar të dalluar.
Krichbaum ka përmendur reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, duke shtuar se shumë gjëra kanë lëvizur në drejtim pozitiv dhe se pikërisht për këtë arsye ata dhanë “po”-në e tyre për çeljen e negociatave.
Për vonesat në këtë proces, deputeti gjerman u shpreh se nuk po ndodhin për faj të Shqipërisë, duke i bërë thirrje Bullgarisë të zgjidhë mosmarrëveshjet me Maqedoninë e Veriut.
“Ky takim kishte për qëllim që zoti Rama të njihej me kryetarin e CDU-së dhe të grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Friedrich Merz. Por në takim merrnin pjesë edhe shoqërues të kahershëm të proceseve të Shqipërisë, si për shembull Joe Ëadephul dhe unë. Rama e ftoi Friedrich Merz-in të vinte në Shqipëri ose të bënte një udhëtim në vendet e Ballkanit. Dhe ai jo vetëm që është i hapur dhe i interesuar, por e ka në plan të vizitojë rajonin. Biseduam edhe për progresin e reformave në vend, të cilin personalisht e konsideroj të dalluar. Le të kujtojmë këtu reformën në drejtësi, vettingun. Pra, kanë lëvizur shumë gjëra në një drejtim pozitiv vitet e fundit. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të pranoim çeljen e negociatave. Që këto kanë vonuar, për këtë nuk e ka fajin Shqipëria, por bllokada e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe ne mund t’i bëjmë thirrje Bullgarisë që t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në planin dypalësh, sepse ato nuk kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Krichbaum.
I pyetur mbi deklaratat e Ramës se do të kërkojë ndarjen nga Maqedonie e Veriut në rast se Konferenca e parë Ndërqeveritare nuk mbahet në qershor, deputeti i CDU është shprehur se Bullgaria është duke lëvizur dhe se shpreson që kjo pengesë do të kapërcehet shpejt.
“Gunther Krichbaum: Ne si grup parlamentar kemi marrë vendim që këto dy vende të jenë së bashku. Por kam përshtypjen se Bullgaria është duke lëvizur. Kjo është përshtypja ime tani. Shpresoj shumë se mund ta kapërcejmë edhe këtë pengesë”, ka thënë ai.
Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Berlin, i ftuar nga fondacioni Körber-Stiftung.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




