Bylykbashi: Marrëveshja e Alibeajt me Ballën i garanton Ramës legjitimitetin për kapjen e Presidentit

Politikë | 5 vite më parë

Në një kohë që opozita dhe maxhoranca kanë gjetur dakordësinë për zgjedhjen e presidentit të ri, deputeti Oerd Bylykbashi akuzon se marrëveshja e arritur mes Enkelejd Alibeajt dhe Taulant Ballës,  i garanton kryeministrit Edi Rama legjitimitetin për kapjen e kreut të shtetit.

Me një postim në Facebook, Bylykbashi shkruan se kjo marrëveshje i mundëson Ramës që të sigurojë 84 mandate për kandidatin e tij që ta “shesë” si kandidat konsensual.

“Ajo që mbetet është që marrëveshja e Alibeajt me Ballën i garanton Ramës legjitimimin e procesit të tij për kapjen e presidentit.  Marrëveshja i mundëson Ramës që në morinë e emrave të hedhur mbi tryezë, të fshehë emrin që ka planifikuar. Marrëveshja që ka dakordësuar Alibeaj i mundëson Ramës që të sigurojë 84 mandate për kandidatin e tij që ta shesë si kandidat konsensual. Marrëveshja i jep mundësi Ramës që të caktojë një opozitë hollesh përkundër opozitës së votës e me votat e tyre të caktojë presidentin e më tej, të ndryshojë sistemin zgjedhor, hartën e ndarjes territoriale, për të mbajtur pushtetin”, shkruan Bylykbashi.

Deputeti shton më tej se Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët dhe të hedhë në tryezë emra kandidatësh për president dhe se me veprimet e tij, po anashkalon Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar të PD-së.

“Alibeaj përpiqet të ndryshojë statutin e Partisë Demokratike duke anashkaluar Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar, dy organet më të larta përfaqësuese të PD. Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët, të hedhë në tryezë emra kandidatësh për të legjitimuar procesin e Ramës. Deputetët e Partisë Demokratike përfaqësojnë vullnetin e saj dhe nuk bëhen fasadë e kapjes së pushteteve prej Edi Ramës”, përfundon reagimin e tij Bylykbashi.

Alibeaj zhvilloi sot takime me deputetë demokratë dhe me grupet e tjera opozitare, në lidhje me çështjen e presidentit. Sipas marrëveshjes së arritur, opozita do të ketë të drejtën të propozojë emrat për presidentin në dy raundet e ardhshme dhe në mbledhjen e PD është arritur në dakordësinë që në total opozita të propozojë 4 emra, ku dy do të jenë nga grupi i PD dhe 2 nga Fatmir Mediu dhe Mesila Doda dhe më pas të dilet me një kandidaturë dhe figurë që të përfaqësojë të gjitha palët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme