Presidenti i ri, Salianji: Ndarja në PD nuk do të prodhojë asnjë emër që mbledh 20 firma

Më shumë se për shumicën parlamentare, procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, duket se po shndërrohet në fushë betejë midis vetë opozitës, më saktësisht brenda PD-së. Skema klasike e përballjes mes pozitës dhe opozitës parlamentatare për emrin në krye të Shtetit, duket se është zëvendësuar me skemën e një përballje të pazakontë midis vetë palëve në PD dhe duke bërë fajtor për këtë situatë kryeministrin Rama.
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ka reaguar, lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke sulmuar procesin. Deputeti akuzon kryeministrin Rama se fragmentarizoi opozitën, si dhe thelloi ndarjen në PD. Sipas tij, në fund të këtij procesi, nga ana e opozitës, s’do të ketë asnjë emër që do të mund të mbledhë 20 firma.
“Procesi për zgjedhjen e Presidentit u banalizua nga Rama me emrat në zarf dhe do përfundojë me një President të Ramës në institucion dhe me ëndrrën e thyer të çdo deputeti për të pasur një president personal! Presidenti i Republikës, që duhet të jetë personifikimi i unitetit të kombit, përfundon si grup emrash në publik, që nuk marrin dot as unifikimin e grupit parlamentar dhe opozitës në tërësi! Nuk ka një president pas diskutimeve por shumë “president”!! Për fat të keq, Edi Rama pikasi nevojën për protagonizëm bosh për këtë proces në radhët e opozitës dhe i la në “dorë” pataten e nxehtë të dy raundeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend për kreun e shtetit.”, shkruan Salianji.
Sipas tij, ndarja në PD do të çojë në faktin se s’do ketë asnjë emër që mbledh 20 firma dhe se proçesi u dështua vetëm për egoizma personalë, pasi dëmi për opozitën dhe favorizimi për Ramën është përtej çdo amatorizmi apo “naiviteti” politik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




