PE voton pro rezolutës për Shqipërinë, Balla: Angazhim maksimal për integrimin në BE

Politikë | 5 vite më parë

Parlamenti Europian ka votuar pro rezolutës për Shqipërinë të raportueses Isabel Santos. Raporti për Shqipërinë, lidhur me progresin që ka bërë në reformat e integrimit europian gjatë 2021, është votuar nga PE me 519 vota pro, 52 kundër dhe 28 abstenim. Parlamenti Europian i ka kërkuar Këshillit të BE-së që të marrë sa më shpejt një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimin  e Parlamentit Europian e ka përshëndetur Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Sipas tij, PE vlerësoi orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në integrimin europian. Balla thekson se mosmarrja e një vendimi nga Këshilli Europian për hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, minon besueshmërinë e politikës së zgjerimit.

“Përshëndes qëndrimin e Parlamentit Europian, i cili me votimin historik të ditës së sotme me 519 vota pro vlerësoi orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin europian.

Në kushtet ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Parlamenti i kërkoi Këshillit të hapë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim me të dy vendet për shkak se mos marrja e një vendimi minon besueshmërinë e politikës së zgjerimit.

Falenderues ndaj Raportueses së Parlamentit Europian për Shqipërinë, Isabel Maria Santos për profesionalizmin në prezantimin e gjetjeve të raportit dhe në kërkesën për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian brenda Presidencës Franceze të Këshillit Europian.”, shkruan Balla.

/rtsh.al/

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme