Nuk i dha ankimimin e Alibeajt, Rithemelimi padit kreun e Gjykatës së Tiranës

Politikë | 5 vite më parë

Sikurse kishte paralajmëruar, Komisioni i Rithemelimit ka paditur sot kreun e Gjykatës së Tiranës, Flamur Kapllanin dhe kancelarin Donald Xhelili, me pretendimin se nuk i kanë komunikuar vendimin e gjyqtares Blerina Muçaj që pranoi ankimin e Enkelejd Alibeajt.

Sipas Komisionit të Rithemelimit, vendimi i gjyqtares Muçaj cenon interesat e “e ligjshme” të tyre, duke bërë thirrje që të vihen para drejtësisë ata që  ndikojnë proceset ligjore në shqyrtim nga gjykatat.

“Në vijim të qëndrimit të bërë publik nëpërmjet deklaratës së ditës së diel, dhe në mungesë të reagimit ligjor dhe institucional nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur sot kallëzim penal ndaj kryetarit dhe kancelarit të gjykatës së Tiranës, të cilët në mënyrë të qëllimshme ende nuk i komunikojnë zyrtarisht Partisë Demokratike vendimet gjyqësore të cilat cenojnë interesa të ligjshëm të saj. Partia Demokratike bën thirrje për organet ligjzbatuese që të hetojnë dhe vënë para përgjegjësisë ligjore këdo i cili me veprime të paligjshme tenton të ndikojë proceset ligjore në shqyrtim nga gjykatat, pavarësisht pozicionit që mban!”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Rithemelimit.

Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo deklaroi më 15 maj se i kanë kërkuar zyrtarisht, që prej 26 prillit Gjykatës së Tiranës që t’i komunikojnë vendimin e gjyqtares Blerina Muçaj.

Pak javë më parë, Gjykata e Tiranës pranoi ankimin e Enkelejd Alibeaj,  kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet Statutore në Partinë Demokratike sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Komisionit të Rithemelimit.

 

Padia e depozituar nga Rithemelimi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme