Zgjedhjet për kryetar të rinj të PS në 61 bashkitë, Rama: S’duhet të jenë një me kryebashkiakët! Të rrisim kapacitetet komunikuese

Politikë | 5 vite më parë

Partia Socialiste ka nisur sot procesin për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të partisë në 61 bashkitë e vendit. Hapja e procesit u bë nga Tirana, ku në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se qëllimi është që procesi të jetë transparent dhe konkurrues. Ndalur te figura që duhet të kenë kryetarët e rinj, Rama theksoi se ata nuk duhet të jenë njësh me kryebashkiakët, por as në kundërshti me ta.

“E kemi diskutuar shpesh me njëri tjetrin,  për mua është një shqetësim që duhet adresuar nga lidershipi partisë në të gjithë territorin se nuk duhet lënë që kryetarët e partisë të jenë të papolitizuar ashtu siç duhet. Sidoqoftë ne kemi larguar nga duart e partisë dhe influenca e partisë policinë e shtetit, trupën e mësuesve, kemi larguar trupën e infermierëve. Pavarësisht rasteve sporadike jemi në një situatë qëndrueshmërie ku faktikisht ndikimi i pamundësisë për të ndërhyrë e bën edhe më të pakuptimtë dhe të kotë dhe dëmtues rolin e atyre kryetarë të partisë që i ka mbetur ora po atje. Është edhe aspekti tjetër ri pasjes në territor të kryetarit të partisë të cilët janë drejtpërdrejt të vendosur dhe i përgjigjen kryetarit të bashkisë. Nuk duhet të jenë në kundërshti, konflikt jo e jo, por është e  pakuptimtë që të jenë një. Aq më tepër që detyrat e tyre janë të ndryshme”, u shpreh kryeministri.

Rama tha po ashtu se është e domosdoshme që të rriten kapacitete komunikuese të PS, teksa nënvizoi se  kjo arrihet vetëm duke dalë në terren. Duke e konsideruar një proces të gjatë dhe aspak të lehtë, Rama tha se kryetarët e partisë duhet të jenë të gatshëm të përballen me njerëzit.  

“Ajo që mungon është energjia e komunikimit të organizatave. Këtë do ja japi drejtimi i partisë në territor,  në bashki. Nëse do kemi një front, një vijë të parë me kryetarët e bashkisë që do jenë në lartësinë e kësaj sfide, do jetë ndryshim kolosal i kapacitetit të komunikimit të partisë me njerëzit. Nuk është proces i lehtë, por i domosdoshëm dhe është koha tani për të filluar me kryetarët e partisë të bashkive dhe në Tiranë me njësitë me procesin e shpalljes së kandidaturave, aplikimit të kandidatëve, organizimit të ballafaqimit të kandidatëve në sytë e të gjithë anëtarësisë, për të arritur që në fillim të vjeshtës të kemi vijën e parë të përcaktuar dhe deri në fund të vjeshtës të kemi të gjithë këtë grup njerëzish të rreshtuar të partisë dhe për të shkuar me sukses në zgjedhje me një parti të ripërtërirë, një parti me një kapacitet të rritur komunikimi me njerëzit”, theksoi ai.

Ndalur te zgjedhjet vendore të 2023, Rama tha se socialistët duhet t’i fitojnë ato dhe se për këtë duhet bërë akoma më shumë punë.

“Vitin e ardhshëm ne kemi zgjedhjet vendore. Koha kalon shumë shpejt. U bë më shumë e zakonshme që ne të kemi mbi kokë gjërat të jashtëzakonshëm që ne do donim mos ndodhnin kurrë. Por kanë ndodhur dhe ne duhet të përballemi me to. Tërmeti, pandemia, tani kjo situata tjetër, lufta, që nuk dihet sa zgjat. Por zgjedhjet janë aty, ne duhet t’i bëjmë dhe duhet t’i fitojmë. Dhe sigurisht që për të fituar zgjedhjet na duhet jo vetëm të përsërisim gjithçka të duhur që kemi bërë deri tani, por na duhet të shkojmë edhe më tej”, tha kreu i PS.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme