Xhaçka: Vendimi për Konferencën e Parë Ndërqeveritare duhet të merret në Qershor!

Politikë | 5 vite më parë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin e KE, Oliver Varhelyi. Përmes një postimi në rrjete sociale ministrja njofton se ranë dakord që vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare të merret në qershor.

Xhaçka shprehu bindjen se dështimi për të mbajtur konferencën e parë këtë qershor sipas saj do të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Takim i frytshëm me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Oliver Varhelyi në margjinat e takimit të Këshillit të Punëve Jashtme me Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor. U dakordësuam që vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare duhet të merret në qershor. Nënvizova bindjen e Shqipërisë se dështimi për të mbajtur konferencën e parë këtë qershor do të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së dhe situatën në Ballkanin Perëndimor”, shprehet ministrja Xhaçka.

Nga ana tjetër edhe eurokomisionerin, Oliver Varhelyi ka reaguar në Twitter i cili shkruan se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e Këshillit dhe se është gati të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.

Më herët Ministrja Xhaçka zhvilloi një takim edhe me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, me të cilin diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, mbështetjen në procesin e integrimit si dhe njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.

Ministrja Olta Xhaçka ndodhet në Bruksel, ku mori pjesë në drekën e punës me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme