Presidenti i ri, Kuvendi seancë të posaçme për raundin e parë të votimit

Kuvendi do të mbajë një seancë të posaçme në orën 17:00. Në rend dite është zhvillimi i votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit. Data 15 maj shënoi dhe fundin e afatit për dorëzimin e emrave për President, dhe grupet parlamentare opozitare dhe grupi parlamentar socialist nuk dorëzuan asnjë kandidaturë për kreun e ri të shtetit. Më 13 maj kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla u takua me dy prej krerëve të grupeve parlamentare opozitare Mesila Doda dhe Fatmir Mediu për negociata lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Nga ana tjetër, Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk mori pjesë në takimin me Ballën, u dërgoi një dokument 3 grupeve parlamentare ku vinte theksin te zgjedhja e një presidenti konsensual dhe një procesi gjithëpërfshirës.
Kujtojmë se në 23 maj është dhe afati i fundit i raundit të dytë. Zgjedhja e presidentit kalon deri në 5 raunde votimesh dhe që një kandidat të zgjidhet duhet që në raundin e parë, të dytë dhe të tretë të marrë më shumë e ¾ e votave, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë, zgjidhet me jo më pak se 50% të votave. Duke qenë se Kuvendi nuk ka asnjë kandidaturë për të votuar në raundin e parë, seanca e 16 majit do të jetë formale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




